Pasditen e së enjtes SPAK dhe Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth zhvillimit të operacionit të koduar policor “Golden bullet”.
Në konferencën për mediat, kreu i SPAK, Arben Kraja dhe ai i Policisë së Shtetit Gledis Nano bënë të ditur se operacioni është në vijim ndërsa u bë e ditur se janë prerë urdhër arreste për 32 persona dhe janë dhënë urdhrat për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kraja bëri të ditur se SPAK ka goditur 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sipas tij, 4 grupe janë në Elbasan, 2 në Tiranë dhe 2 në Durrës. Këto grupe kriminale, rezulton nga hetimet se paguanin vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët. Këto grupe i karakterizon dhuna e egër në krimet e bëra.
Operacioni, bëri të ditur drejtori i Policisë se Shtetit Gledis Nano, u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë dhe në të u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.
Ndërkohë, deri më tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.
Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Duke qenë se mes personave për të cilët janë ekzekutuar masa sigurie ka edhe punonjës të policisë, NANO tha se mbetet i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën “apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme.”
Personat, për të cilët është ekzekutuar urdhri i GJKKO-së:
Nuredin Dumani
Henrik Hoxha,
Ardian Uzuni
Altin Ndoci
Skerdi Tasi
Leonard Palushi
Fatos Gosa
Erion Alibej
Gentjan Sharra
Florenc Cekrezi
Elvis Koci
Ilirjan Feci
Petrit Qoli
Agron Qoli
Agron Qafa
Artan Plaka
Besjan Xhixha
Leonard Palushi është shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.
Zbërthehet Nuredin Dumani, RENEA “rrethon” Elbasanin në orët e para të mëngjesit të së enjtes
Forcat RENEA zbarkuan në qytetin e Elbasanit gjatë orëve gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Operacioni u zhvillua rreth orës 05:30 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ishte dëshmia e dhënë nga Nuredin Dumani pas arrestimit nga ana e forcave RENEA në qytetin e Fierit, që çoi Drejtësinë tek persona që lidhen me shumë ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit.
SPAK lëshoi 32 urdhër arreste për një numër të madh personash të dyshuar si të përfshirë në krime të rënda. Por, ajo që dihet është se në listë ishin edhe emrat e Ervis Martinajt, Talo Çelës dhe Suel Çelës, të cilët nuk janë arrestuar ende nga policia.
Fakti që nuk janë arrestuar “VIP-at” e listës së SPAK ngre dyshime mbi mundësinë e dekonspirimit të operacionit të policisë.
Ka të dhëna se dihej të paktën që mbrëmë se policia do të kryente një operacion të gjerë me urdhër të SPAK për të kapur disa të shumë kërkuar dhe me gjasë kjo e dhënë ka shkuar edhe në veshët e personave që përmes aktivitetit të tyre të jashtëligjshëm kanë bërë miliona euro pasuri duke blerë shumë lehtë informacion.
Megjithatë, kjo u hodh poshtë nga kreu i SPAK, Arben Kraja gjatë konferencës për mediat. Ai theksoi se operacioni është ende në vijim dhe se të arrestuar të tjerë do të ketë në vijim.
“Nuk kemi asnjë dyshim për dekonspirm. Duhet kohë, pasi ishte numri shumë i lartë. Ishin marrë masat e nevojshme, është diçka që po vijon dhe nuk ka probleme,” tha Kraja.