Raporti i OSBE-ODIHR: Polarizimi mes partive mund të dëmtojnë zgjedhjet e 30 qershorit

schedule17:30 - 18 Prill, 2019

schedule 17:30 - 18 Prill, 2019

Në një raport të OSBE-ODIHR për vlerësimin e nevojave për zgjedhjet vendore të 30 qershorit theksohet se në prag të këtij procesi në vend ka një shkallë të lartë të polarizimit dhe mosbesimit midis partive politike dhe politizimi të institucioneve. Kjo sipas raportit, mund të ndikojë negativisht në procesin zgjedhor.

Pas një misioni evidentues të OSBE/ ODIHR mbi nevojat e Shqipërisë, në pritje të përgatitjeve të zgjedhjeve të 30 qershorit, që përcakton shkallën e asistimit dhe vëzhgimit të ODIHR bazuar mbi nevojat specifike të momentit, misioni ka arritur në përfundimin se zgjedhjet lokale në Shqipëri duhet të zhvillohen nën kontrollin e shtuar të OSBE/ODIHR.

Ky është përfundimi i bazuar mbi disa takime që grupi i ODIHR ka zhvilluar me përfaqësues të qeverisë, KQZ-së, partive politike, medias dhe shoqërisë civile.

Janë këta të fundit ata që kanë theksuar se zgjedhjet e qershorit do të zhvillohen në një kontekst që karakterizohet nga mungesa e besueshmërisë politike mes partive dhe në vijim të politizimit të institucioneve, duke kontribuuar negativisht mbi një mungesë të zgjatur besimi ndaj procesit elektoral.

Në raportin e përpiluar nga anëtarët e këtij misioni vëzhgues, rekomandimi kërkon dislokimin e Misionit Vëzhgues Elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit, bazuar mbi mundësitë e burimeve njerëzore. Sëbashku me grupin bërthamë të ekspertëve, ODIHR do të kërkojë dhe mbështetjen e shteteve pjestare të OSBE-së për 22 vëzhgues afat-gjatë që do të ndjekin procesin zgjedhor në shkallë vendi, ashtu si 250 vëzhgues afat-shkurtër për kontrollin e procedurave në ditën e zgjedhjeve, përfshi votimin, numërimin dhe paraqitjen e përfundimeve.

Disa nga palët e përfshira në zgjedhje që zhvilluan takime me misionin e OSBE/ODIHR theksuan mungesën e qartë të vullnetit të partive të mëdha dhe qeverisë në luftën kundër shit-blerjes së votës dhe shprehën mungesë besimi në procesin elektoral, i cili shihet me pikëpyetje, sipas raportit, pasi favorizon partitë e mëdha duke i dhënë shumë fuqi liderëve të tyre në përcaktimin e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore informuan anëtarët e misionit vlerësues se të gjitha masat do të merren për të siguruar një proces elektoral transparent, duke pranuar vlerën e shtuar të rekomandimeve të mëparshme të misioneve të ODIHR, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e amendimit të kuadrit ligjor përpara zgjedhjeve – thuhet në raport. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!