Manchester City pati një tjetër dështim të madh në Champions, pavarësisht shpenzimeve të jashtëzakonshme. Emocione të mëdha dhe polemika, pas derbit anglez me Tottenham.
As 700 milionë paund stërlina nuk mjaftojnë. Manchester City nuk qenka e thënë që ta fitojë Championsin, të paktën jo tani shpejt. Në një dëshpërim edhe më të madh sesa ai i Juventusit dhe Allegrit, yjet e skuadrës angleze me shumë pretendime, dhe trajneri i tyre i lavdishëm, Pep Guardiola, pranuan fatin e tyre mizor, eleminimin në çerekfinale.
Në një duel të çmendur, ndoshta më i miri i vitit në gjithë Europën, ishte Tottenham që siguroi gjysmëfinalet, një shpërblim i madh dhe i merituar për trajnerin Mauricio Poçetino dhe lojtarët e tij, të vlerësuar shumë më pak, dhe që kanë kushtuar shumë më pak. Tottenham nuk është aq i vogël financiarisht sa Ajax, por sërish një “liliput” në krahasim me kundërshtarin që e nxorri nga Championsi.
Që në fillim u kuptua se do të ishte një 90 minutësh i çmendur, me 4 gola në 11 minuta, dhe 5 në 21 minuta. Po ashtu, me dy ndërhyrjet vendimtare të VAR-it. Gazetat në kontinent u entuziazmuan nga ndeshja, dhe thumbuan jo pak.
“Marca” në Spanjë: Pepi, dështon përsëri! Kritikon arbitrat për golin e anuluar, por harron sesi fitoi në “Stamford Bridge” me golin e Iniestës!
“L’Equipe” i Parisit: Krejtësisht çmenduri! Pas njërës prej ndeshjeve më të bukura të vitit, Tottenham eleminoi City-n. Vendosi goli i Llorentes!
“Sport 360 Grade” në Angli: Magjistarët e karambolit! Spurs fiton ndeshjen e çuditshme, pas 5 golave në 21 minuta dhe dramës së VAR-it, që konfirmoi golin e Jorentes, por shkatërroi City-n për vdekje!
“La Gazetta dello Sport” e Milanos: Champions prej të çmendurish! Çfarë spektakli me 100 km në orë: 4-3! Totenhemi dhe VAR-i eleminojnë Sitin e Pepit!
Edhe gazeta argjentinase “Klarin” lavdëron trajnerin argjentinas të Spurs-ave, në foto me autorët e golave, Llorente dhe Son: Dita e paharrueshme e Tottenham-it të Poçetinos!
“Ishte e pabesueshme, – tha ky i fundit, – nuk arrij ta besoj që përfundoi kështu. Jam shumë i lumtur dhe krenar. Lojtarët e mi janë heronj që ia dolën, jam i lumtur për ta dhe për tifozët. Në një moment u kalua nga zhgënjimi më i madh, në gëzimin më të madh. Ky është futbolli”.
“Ishte tepër mizore, – ishin fjalët e Guardiolës, – kur u shënua goli ynë, kishin mbetur vetëm 2 minuta, dhe ne ishim shumë pranë gjysmëfinaleve. Ne festuam, por më pas gjithçka u përmbys. Gjithsesi, kështu ndodhi, s’kemi ç’të bëjmë”.
Polemikat nuk munguan, pasi u publikuan pamje dhe foto që tregonin se në rastin e golit të Llorentes, topi goditi krahun e sulmuesit spanjoll, por këto pamje çuditërisht nuk u përdorën nga VAR-i. Gjithsesi, tani çdo gjë ka përfunduar dhe Tottenhami do të luajë gjysmëfinalen e parë të Championsit, dhe të dytën që nga koha e Kupës së Kampionëve.
Synimi e shpresa janë për të kaluar Ajax, në 30 Prill e 8 maj, dhe për të arritur finalen e madhe, që nuk e ka provuar kurrë./abcnews.al