Ministrat e Punëve të Jashtme të Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë kanë miratuar planin e Suedisë dhe Finlandës për të kërkuar anëtarësimin në NATO.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të hënën, ministrat e jashtëm i quajtën vendimet “historike” dhe thanë se “do të bëjnë çdo gjë që duhet për të ndihmuar të dy vendet”.
Lexo edhe: Suedia dhe Finlanda drejt anëtarësimit në NATO, si po merr fund neutraliteti 200-vjeçar
“Ne kemi besim se Suedia dhe Finlanda do të kontribuojnë në unitetin, solidaritetin, kohezionin dhe forcën e Aleancës dhe të gjithë zonës transatlantike, në një kohë kur mjedisi i sigurisë me të cilin përballemi është gjithnjë e më kompleks”, thuhet në deklaratë.
Ministrat shtuan se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës “do të rrisë gjithashtu në masë të madhe sigurinë e rajonit të Detit Baltik”, si dhe “do të hapë perspektiva të reja për formatet nordike-baltike dhe formate të tjera rajonale të bashkëpunimit në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë”.
“Ne po angazhohemi për të promovuar ratifikimin e shpejtë të protokolleve të pranimit pasi ato të nënshkruhen,” shton deklarata e përbashkët./abcnews.al/