Policia marokene ka penguar një përpjekje të dytë për kalimin masiv të emigrantëve drejt Ceutës, enclaves spanjolle në Afrikën e Veriut. Forca të shumta të policisë u diskoluan në kufi, pasi qindra emigrantë u mblodhën në qytetin kufitar Carillejos, të nxitur nga thirrje të shpërndara në rrjetet sociale.
Më shumë se 100 persona u ndaluan teksa tentonin të afroheshin drejt kufirit, ndërsa 61 prej tyre u arrestuan dhe u larguan me autobusë nga policia marokene.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan qindra persona duke vrapuar në drejtim të kufirit me Ceutën. Përpjekjet për kalimin nisën rreth orës 06:00 të mëngjesit , por forcat marokene, të përforcuara me mjete të blinduara dhe një helikopter për monitorimin e situatës, arritën të parandalojnë hyrjet në territorin spanjoll. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, policia marokene i ndaloi emigrantët rreth tre kilometra larg Ceutës.
Në anën spanjolle, autoritetet vendosën në gatishmëri të lartë forcat e sigurisë. Ushtria spanjolle dislokoi trupa dhe mjete të blinduara në kufi, ndërsa për ushtarakët e dërguar në Ceuta u anulua leja për shkak të frikës nga një valë e re kalimesh.
Përpjekja e fundit vjen vetëm dy javë pas një prej episodeve më të mëdha të migrimit të parregullt në kufirin e Ceutës. Më 30 korrik, dhjetëra mijëra persona tentuan të hynin në territorin spanjoll, ndërsa të paktën 88 persona humbën jetën, shumë prej tyre si pasojë e mbytjes ose shtypjes në turmë.
Shumica e personave që arritën të hynin në Ceuta u kthyen në Marok, ndërsa një numër i vogël mbeti në territorin spanjoll. Këtë herë, autoritetet spanjolle kishin marrë masa shtesë pas mesazheve të shpërndara në rrjetet sociale, ku pretendohej se kufiri i Ceutës do të ishte i hapur më 15 gusht, ditë pushimi zyrtar në Spanjë.
Në të kaluarën, Maroku është akuzuar se ka lehtësuar kalimet e emigrantëve drejt Ceutës për shkak të mosmarrëveshjeve diplomatike me Madridin. Në vitin 2021, rreth 8 mijë persona kaluan drejt Ceutës në një episod që u zhvillua në mes të një krize diplomatike mes Marokut dhe Spanjës lidhur me çështjen e Saharasë Perëndimore. Situata e fundit ka rritur shqetësimet për një krizë të re migratore në kufijtë e Evropës dhe ka shkaktuar tensione edhe mes vendeve të tjera evropiane, përfshirë Spanjën dhe Italinë./abcnews.al


