Përcaktimi i shkaqeve të zjarrit në Notre Dame, i vështirë

schedule12:45 - 17 Prill, 2019

schedule 12:45 - 17 Prill, 2019

Mediat franceze shkruajnë se hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit që përfshiu katedralen Notre Dame të Parisit do të jenë një “mision i pamundur” për autoritetet. Sipas së përditshmes “Le Figaro”, hetuesit do ta kenë shumë të vështirë të përcaktojnë nëse ishte një gabim njerëzor, apo defekt teknik.

Hetimet mbi rënien e zjarrit në katedralen Notrë Damë të Parisit ka gjasa të kthehen në një dhimbje koke për autoritetet franceze, shkruan e përditshmja “Le Figaro”. Sipas gazetës, për hetimet janë zgjedhur 50 oficerë policie, por aksesi në pjesët e dëmtuara të katedrales është ende i ndaluar.

Edhe pse pista e një zjarri aksidental është e privilegjuar dhe sipas prokurorëve asgjë nuk sugjeron një zjarrvënie të qëllimshme, sërish do të duhen javë, në mos muaj që të zbulohen shkaqet reale të rënies së zjarrit.

Tre orë pasi flakët përfshinë objektin gotik, një hetim i jashtëzakonshëm nisi nën dyshimin e “zjarrit të paqëllimshëm”, dyshime që konsiderohen reale duke qenë se bëhet fjalë për çatinë e katedrales.

Departamenti i Hetimeve Kriminale në policinë e Parisit, nën direktivat e zyrës së prokurorit publik, mobilizoi 50 hetues dhe një skuadër të brigadës kriminale për të kryer hetimet delikate.

Pra, dy grupe hetimore të specializuara në zbardhjen e çështjeve më të ndjeshme po punojnë për të hedhur dritë mbi shkaqet e zjarrit. Por në kushtet aktuale, vijon “Le Figaro”, ato do ta kenë të vështirë të përcaktojnë nëse ishte një gabim njerëzor apo një defekt teknik.

Vetë policia, që ka në plan të përdorë dronë për të vëzhguar pjesët më pak të aksesueshme të godinës, është shprehur e vetëdijshme se për të hedhur dritë mbi shkaqet do të jetë një sfidë e vështirë.

Nuk është një zjarr i zakonshëm apartamentesh, ku ekspertët mund të identifikojnë gjurmën e një qarku të shkurtër, apo mbetjet e një produkti zjarrvënës”, ka deklaruar një oficer policie për të përditshmen franceze./abcnews.al