Artizania fierake që po shpëton nga zhdukja veshjet tradicionale myzeqare

schedule16:06 - 13 Maj, 2022

schedule 16:06 - 13 Maj, 2022

Prej 15 vitesh ajo është shpëtimtarja e veshjeve tradicionale myzeqare nga zhdukja. Në këtë sfidë, Anila Stefani i ngjan Penelopës në durimin e saj, që e vetme, vazhdon të qëndisë me gjilpërë këto veshje.

“Që prej vitit 1974 këto veshje tradicionale Myzeqare nuk prodhohen më. mungesa e artizanëve qëndistar të veshjeve tradicionale e kanë çuar këtë krijimtari kulturore në një dileme të madhe. atë të vazhdimësisë dhe riprodhimit të tye”.

Anila Stefani është sot në Fier, në mos në të gjithë Myzeqenë, artizania e vetme që qëndis me dorë veshjet tradicionale myzeqare.

Atë e gjen çdo ditë me gjilpërë në dorë, një zanat që e mësoi kur ishte 12 vjeçe nga e ëma dhe nuk e la kurrë.

E nisi fillimisht me fustane për vajzat e saja të vogla. E më pas nuk mund t’i ndalte kërkesat për të qëndisur veshje të tjera.

Sot, kjo mjeshtre të qëndistarisë tradicionale po ripërtërinë fondin e veshjeve tradicionale të Ansamblit “Myzeqeja.

Nuk pushon së qëndisuri çdo ditë fustane dhe jelekë, duke ruajtur me besnikëri motivet dhe ngjyrat myzeqare, të cilat i stampon me molinetë e përzgjedhura me kujdes.

Sapo ka përfunduar 10 veshje të reja myzeqare, të cilat u përdorën në një prej aktiviteteve të fundit nga Bashkia e Fierit.

Pas mbi 30 viteve, ky ishte riprodhimi i parë i veshjeve tradicionale myzeqare.

Këtë art të bukur të qëndistarisë, Anila dikujt kërkon t’ia lërë. Ndaj mban gjithmonë pranë vetes, në atelienë e vetë, ndonjë vajzë të re.

/abcnews.al