Rusia ka thënë se do të detyrohet të marrë “hapa hakmarrës”, për shkak të vendimit të shtetit fqinj, Finlandës, për të kërkuar anëtarësim në NATO.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse është thënë se ky vendim do të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet bilaterale, ashtu sikurse sigurinë dhe stabilitetin në veri të Evropës.
Vendimi i Finlandës aty është përshkruar si “ndryshim radikal në politikën e jashtme të shtetit”.
“Rusia do të detyrohet të marrë hapa hakmarrës, si në aspektin tekniko-ushtarak, por edhe të natyrave tjera, në mënyrë që të neutralizojë kërcënimet për siguri kombëtare, që dalin nga ky vendim”.
Megjithatë, Moska nuk ka specifikuar se çfarë plane ka.
Zëvendës-përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polvansky, ka thënë se Suedia dhe Finlanda do të mund të bëhen shënjestra të mundshme për Rusinë, nëse bëhen anëtare të NATO-s, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, RIA.
Lexo edhe: Nuk ka ndodhur asnjëherë, rruga e shpejtë e Finlandës dhe Suedisë për në NATO
Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja e këtij shteti, Sanna Marin, kanë bërë thirrje që Finlanda të aplikojë për anëtarësim, “pa vonesa”.
Edhe publiku në Finlandë e ka mbështetur këtë vendim, sidomos prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.
Finlanda ka një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë.
Deri më tani ka qenë jashtë NATO-s, për të shmangur antagonizmin e fqinjit të saj lindor.
Finlanda do të bëjë të ditur vendimin zyrtar të dielën, pasi kjo çështje të diskutohet në parlament dhe nga disa figura të larta shtetërore.
Suedia ka thënë se do të marrë vendim të ngjashëm në ditët në vijim.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se pret që procesi i anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës “të ndodhë shpejt”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin këto dy shtete, nëse aplikojnë.
Presidenti finlandez ka thënë se Moska është shkaktare e vendimit për anëtarësim.
“Përfshirja në NATO nuk do të jetë kundër askujt. Ju e keni shkaktuar këtë. Shiheni veten në pasqyrë”, ka thënë ai para gazetarëve, duke iu drejtuar palës ruse.
Një anketë e realizuar javën e kaluar, ka treguar se 76 për qind e finlandezëve e përkrahin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO, ndërsa 12 për qind janë kundër.
Finlanda dhe ish-Bashkimi Sovjetik kanë qenë në anë të ndryshme gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Finlanda ka humbur 10 për qind të territorit në marrëveshjen finale për paqe dhe nuk ka qenë e përfshirë në Luftën e Ftohtë.
Anëtarësimi i Finlandës në NATO, nënkupton që kufiri i Rusisë me aleancën veri-atlantike do rritet më shumë se dyfish.
Suedia ndërkaq, nuk ka kufi me Rusinë./REL/