Juventusi nuk ia doli dot të fitonte përballë Interit dhe të grinte lart trofeun e Kupës së Italisë, pasi u mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 2-4 nga zikatërtit e Simone Inzaghit.
Pas kësaj ndeshje, Giorgio Chiellini ka konfirmuar se do të largohet nga Juventusi këtë verë dhe përgëzon Interin pas finales së Kupës së Italisë, duke thënë se dëshmuan gjatë gjithë sezonit se janë më të fortë.
“Është zhgënjyese, veçanërisht pasi Interi sigurisht kishte më shumë topin, por ne kishim më shumë se raste të mjaftueshme. Interi dëshmoi gjatë gjithë sezonit se është më i fortë.
Është për të ardhur keq ta mbyllim sezonin pa trofe pas një dekade, por ne duhet ta përdorim atë si karburant për sezonin e ardhshëm.
Ne e dimë që diçka nuk funksionoi, ka pasur një proces përmirësimi, por në ndeshjet direkte ne pamë që nuk ishim aq të fortë sa të tjerët”, ka theksuar fillimisht lojtari i Juventusit.
Chiellini thekson se sipas tij Interi është më i fortë se Milan, por ndonjëherë nuk mjafton cilësia.
“Me gjithë respektin e duhur, Milani nuk është një skuadër aq e fortë sa Interi, megjithatë ata janë përpara tani. Kjo do të thotë se duhet më shumë sesa thjesht cilësi dhe kësaj skuadre i mungon diçka për sa i përket vendosmërisë, urisë që karakterizoi Juventusin gjatë gjithë këtyre viteve dhe duhet gjetur sa më shpejt”, nënvizoi vetarani i “Zonjës së Vjetër”.
Chiellini kishte refuzuar të diskutonte të ardhmen e tij para finales, por tani është i lirë të konfirmojë se do të largohet në fund të këtij sezoni.
“Kemi pasur këto 10 vite të mrekullueshme, është në dorën e djemve të vazhdojmë tani. Bëra gjithçka që munda, shpresoj se kam lënë diçka. Të hënën do t’i them lamtumirë stadiumit tim të Juventusit.
Është zgjedhja ime 100 për qind, jam i lumtur që largohem në një nivel kaq të lartë, sepse për shumë vite kam thënë se nuk doja të mbaroja vështirësitë dhe të mos isha në gjendje të luaja në nivelin tim.
Kam dhënë gjithçka, së shpejti do të jem tifozi më i madh i Juventusit nga jashtë. Pas kaq shumë vitesh brenda këtij klubi, nuk mund ta heqësh atë”, përfundoi italiani. /f.a/abcnews.al