Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se maxhoranca po kërkon hetimin e emrave të rendësishme nga SPAK tre vite pas ngritjes së këtij institucioni pasi sipas tij të korruptuarit janë duke fshehur provat. Manja tha se ka prova se shumë persona që mund të jenë objekt i hetimeve të SPAK po fshehin provat tani dhe se duhet që të përshpejtohet në këtë drejtim.
Fill pas përgjigjes së Manjës, ndërhyri kryeministri Rama duke theksuar se SPAK-u nuk mund të “gjuajë me dinamit për cironka”.
“Të jemi shumë të qartë se mos krijojmë një devijim nga thelbi. Qendrimi ynë publik nuk është një qëndrim as kundër SPAK as mos vlerësues për gjithçka që SPAK ka bërë deri më tani. Ne nuk kemi pritur me zor drejtuesin e SPAK në parlament që ti hidhemi në fyt, ne kemi shumë respekt për prokurorët e SPAK dhe drejtuesit, sepse e dimë shumë mirë që janë duke operuar në terren të vështirë”, tha Rama duke shtuar se SPAK s’duhet të hetojë procedurat, por korrupsionin.
“SPAK u të mos gjuajë me dinamit për cironka. Kjo ka shumë rendësi. Dhe as të mos bëjë KLSH-në apo inspektimin financiar të MInistrisë së Financave. SPAK nuk është KLSH. SPAK është Prokurori Speciale dhe të merret me të korruptuarit dhe jo të merret me procedura”, tha Rama. /abcnews.al