Dekanët mbështesin ministren Besa Shahinin

schedule17:24 - 15 Prill, 2019

schedule 17:24 - 15 Prill, 2019

Katër dekanë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës si dhe një përfaqësues i studentëve në Senat kanë mbështetur vendimin e ministres së Arsimit, Besa Shahini, për pezullimin nga detyra të Rektorit Mynyr Koni. Madje dekanët e Fakultetit të Ekonomisë Dhori Kule, Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha, Shkencave Sociale Edmon Rapti dhe ai i Gjuhëve të Huaja Artur Sula e konsideruan këtë një veprim të vonuar dhe në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë.

Kule: “U bë kontrolli i ministrisë, janë bërë kontrolle të ndryshme dhe pas një viti e gjysmë ligji më së fundi gjeti dritë jeshile. Deri më sot vlerësimi është se këtë e ka mbajtur peng politika”.   

Hoxha: “Ne e vlerësojmë në përputhje të plotë me Kushtetutën, në përputhje të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universiteti të Tiranës”.  

Dekanët bënë të ditura në një komunikim me gazetarët shkeljet që sipas tyre ka kryer Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Dekanët e katër fakulteteve në Universitetin e Tiranës deklaruan se pezullimi i Rektorit Mynyr Koni do të sjellë zgjidhje të ngërçit të krijuar në institucionin e arsimit të lartë më të madh në vend dhe një sërë problemesh do të marrin zgjidhje./abcnews.al