Kërkoi lirinë, Apeli cakton datën e seancës për Lefter Kokën

schedule15:09 - 10 Maj, 2022

schedule 15:09 - 10 Maj, 2022

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të shqyrtojë më 17 Maj ankimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka i cili kërkon lirimin nga burgu pasi është arrestuar për aferën e Inceneratorëve.

Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, çështja me objekt “ankim ndaj vendimit të caktimit të masës së sigurimit personal, në ngarkim të personave nën hetim A.M., S.C., P.A., L.K., E.K., është regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 10.05.2022, me nr. 14 regjistri themeltar. Sipas shortit të ditës së sotme, kjo çështje do të shqyrtohet nga trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, në seancën gjyqësore të planifikuar më datë 17 Maj 2022, ora 11:00″, thuhet në njoftim.

Koka akuzohet se përfitoi 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit, i akuzuar për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion. “Më lironi, s’kam shkelur asnjë ligj, s’jam i rrezikshëm dhe nuk i shmangem hetimit“, ka thënë në kërkesën e tij Koka.

Më herët Gjykatat kanë rrëzuar kërkesat e ish-ministrit Lefter Koka për heqjen e sekuestros së kantinës së pijeve alkoolike në Rrushbull të Durrësit. Po kështu ish-zyrtarit të lartë i kanë sekuestruar edhe 4 prona të tjera. Koka u arrestua nëntorin e vitit të kaluar, me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave me dyshimin se ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!