Gazetari Agim Baçi në ABC Live se me kalimin e ditëve dhe caktimin e datës së parë për votimin në Kuvend i ka ardhur fundi edhe spektaklit të maxhorancës për Presidentin e Republikës. Baçi tha se është e qartë tashmë se Rama do të zgjedhë emrin e tij në Presidencë dhe kjo do të ndodhë me 71 vota në raundin e katërt.
Sipas tij, e gjitha ç’ka ndodhi deri më tani, me marrjen e propozimeve nga socialistët apo gjoja negociatat me opozitën ka qenë pjesë e lojës së Ramës për të treguar se ai dëgjon dhe konsultohet me të tjerët, ndërkohë që në fakt e ka profilizuar tashmë personin që do të çojë në Presidencës me 71 vota pas tre raundeve të para ku kërkohet shumicë e cilësuar.
“Kjo është pjesë e një spektakli që z.Rama e ka kuruar me shumë kujdes për të thënë që konsultohet. Këtë e tregoi me zarfet me propozimet e socialistëve në fillim dhe më pas me opozitën. Taulant Balla e tha qartë dje se nuk mund të pranonte kushtëzime nga opozita për Presidentin e Republikës duke theksuar se një gjë të tillë mund ta bëntë vetëm për Avokatin e Popullit. Kjo tregon se maxhoranca nuk do të marrë parasysh asnjë kusht të Alibeajt”, tha Baçi duke shtuar se me propozimin që President të jetë një i përndjekur politik, Alibeaj kërkon të bëjë edhe një ndarje nga e shkuara e PD-së.
Baçi theksoi se ndarja është shumë e madhe në PD dhe fakti që mbështetësit e Berishës e kanë bojkotuar procecin për zgjedhjen e Presidentit tregon se Berisha kërkon që të jetë Komisioni i Rithemelimit negociator dhe jo pjesa tjetër e deputetëve të Grupit Parlamentar.
“Mendoj se gjërat kanë shkuar deri aty sa edhe nëse Alibeaj propozon Berishën për President, Berisha nuk do ta pranojë vetëm se e ka propozuar Alibeaj. Është i vështirë pajtimi në PD pasi palët tashmë kanë shkuar shumë larg dhe divorci është shumë pranë në këtë parti. Pritet të zyrtarizohet nga Apeli”, tha Baçi.
Pak më parë u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa maxhoranca caktoi vetëm me votat e saj datën 16 maj si raundin e parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Kushtetuta përcakton se gjatë tre raundeve të para Presidenti duhet të zgjidhet me 84 vota. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë në raundin e tretë dhe të katërt zgjidhet me 71 vota. /abcnews.al

