Berisha-deputetëve: Të mbajmë 1 minutë heshtje për ata që humbën jetën në qelitë e narko-regjimit

schedule20:33 - 9 Maj, 2022

schedule 20:33 - 9 Maj, 2022

Nga foltorja e Parlamentit ish-kryeministri Sali Berisha ka sjellë edhe një herë në vëmendje dy vdekjet që kanë ndodhur në një hark të shkurtër kohor në komisariatin e Kamzës dhe atë të Kavajës.

Ndërsa i cilësoi si vrasje shtetërore, Berisha kërkoi nga deputetët e pranishëm në sallë që të mbahej një minutë heshtje për ata që i cilësoi si “viktima të shtetit në burgjet e tij.”

“Dënoj vdekjet në qelitë e zeza të komisariateve. Në 5 javë, kanë humbur jetën, dy të rinj, në qeli në vendin ku sipas ligjit duhej të ishte vendi më i sigurt. Dënoj qëndrimin e regjimit ndaj këtyre vrasjeve të mirëfillta shtetërore. Të nderojmë me një minute heshtje, ata që vdiqën në qelitë e narkoregjimit. I paharruar kujtimi i viktimave të shtetit në burgjet e tij.”

Kurse, duke sjellë në vëmendje rritjen e çmimeve, lideri historik i demokratëve kërkoi që drejtuesit e bordeve të krijuara së fundmi të japin dorëhqejen. Ai u bëri thirrje anëtarëve që të mos përligjin atë që ai e cilësoi vjedhje të qytetarëve shqiptarë nga monopolistët.

“Sot mediat informuan se shqiptarët i blejnë ushqimet mesatarisht 20 për qind më shtrenjtë se një muaj më parë. Qindra të sëmurë nuk po blenë dot ilaçet. Narko-qeveria rri duarkryq. Mjaftohet me deklarata e propaganda. Bordet janë shushunja po kaq të tmerrshme sa monopolet. Anëtaret e bordeve të japin urgjentisht dorëheqjen, të mos përligjin vjedhjen që po u bëhet qytetarëve shqiptarë nga monopolistët. Bordet i kanë blerë me lecka monopolet.” /abcnews.al/