Drejtonte makinën nën efektin e lëndëve narkotike, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë

schedule13:37 - 9 Maj, 2022

schedule 13:37 - 9 Maj, 2022

Policia rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në rrugët e kryeqytetit për evidentimin e shoferëve  që shkelin rregullat e qarkullimit apo drejtojnë automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Një 25-vjeçar i cili rezultoi pozitiv pas testit të drogës është arrestuar.

Sipas bluve, “gjatë mbrëmjes së djeshme, në Kombinat, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 25 vjeç, i cili pas testimit me aparatin drogë-testues rezultoi se drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.”

Gjithashtu, gjatë kontrolleve intensive janë testuar dhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, të cilët kanë shfaqur sjellje agresive, por pas testimit me aparatin drogë-testues nuk kanë rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.

Numri i shoferëve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan ka shkuar në 12.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, t’u japin përparësi këmbësorëve, të mos përdorin aparatin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos kryejnë gara shpejtësie apo të drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit.

Policia paralajmëron kontrolle dhe ndëshkime për çdo drejtues mjeti që do të konstatohet në shkelje./abcnews.al/