Një aksident i rëndë tronditi Tiranën ditën e sotme, ku një makinë “G-Class” përplasi në mes të rrugës një familje, prindërit dhe foshnjën e tyre 3-muajshe.
Aksidenti ndodhi në rrugën e “Kavajës” ndërsa Arjan dhe Vilma Konomi, po kalonin rrugën bashkë me karrocën në të cilën ndodhej foshnja e tyre, kur makina “G-Class”, e drejtuar nga Ajas Sulejmani vjen me shpejtësi skëterre dhe në shkelje të të gjitha ligjeve të qarkullimit rrugor, duke përplasur familjen 3 anëtarëshe.
Fatmirësisht vetëm 1 sekondë para aksidentit nëna shtyn karrocën e foshnjës që mos përplasej nga mjeti i drejtuar nga “kamikazi” i rrugëve.
“Kamikazi” që drejtonte “G-class” tashmë është arrestuar nga policia. Sipas njoftimit të uniformave blu, 39-vjeçari Ajas Sulejmani nuk është një emër i panjohur, jo vetëm për shkakun se kërkohej nga Britania ku akuzohet për trafik droge, por ai , është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me aksidentin e ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku një automjet me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, ju informojmë se:
Pas një pune intensive hetimore, u bë i mundur lokalizimi i shtetasit A. S., në një spital privat, dhe më pas shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe arrestimi i tij.
Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.
Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.
Po ky shtetas është shoqëror tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/Abcnews.al/