Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri një inspektim në stadiumin e ri kombëtar, për të kontrolluar hyrjen kryesore që cilësohet si historike.
Do të jetë impiant futbolli, por edhe me një pjesë historie.
Stadiumi i ri kombëtar vazhdon të marrë formën përfundimtare, ku pjesë integrale e tij do të jetë edhe hyrja kryesore, e cila u çmontua nga stadiumi i vjetër dhe u rivendos në të riun.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga arkitekti Marko Kazamonti, panë nga afër këtë monument, pjesë e historisë dhe traditës tonë futbollistike.
Kazamonti, një ndër arkitektët më në zë të kohës dhe profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Gjenovë, bashkë me ekipin e tij u mor me katalogimin e pjesëve historike, të cilat përbëjnë fasadën kryesore, vepër e famshme e Gerardo Bozios.
“Puna ka qenë të katalogonim të gjithë pjesët, t’i vendosnim nga një numër të gjithave një e nga një dhe t’i magazinonim. Duke i çmontuar, i kemi pastruar, janë pastruar me një hedhje të lehtë uji dhe sapun për të hequr papastërtinë që ishte akumuluar ndër vite. Pasi u ndërtua godina e re rivendosëm tribunën kryesore që është edhe vepra kryesore e Bozios, në pozicionin identik siç ishte përpara, në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth”, thotë ai.
Kazamonti mendon se në gjendjen aktuale, fasada e stadiumit do të ketë jetë më të gjatë.
“Mendojmë të dorëzojmë arkitekturën e Bozios për qindra vite në të ardhmen sepse duke mos rënë më shiu mbi këtë pjesë të fasadës, ajo do të ruhet më mirë. Kemi pasur shumë diskutime nëse duhet ta mbyllnim fasadën me xham apo ta mbanim të hapur dhe në fund vendosëm që ishte më mirë ta mbanim të hapur siç ishte në origjinë por e mbuluar. Në hyrjen kryesore ka dy krahë anësore, nga njëra anë do të kemi muzeun e qytetit në veçanti të zonës së Stadiumit dhe të projektit të Bozios, nga ana tjetër do të jetë muzeu i Federatës. Jemi me shpresë se do t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë rikonstruksionin e një pjese të historisë së qytetit”, theksoi Kazamonti.
Studentë të ardhur nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Gjenovës po punojnë për rikualifikimin urban të disa hapësirave publike rreth stadiumit.
Një tjetër mundësi informimi do të jetë edhe nëpërmjet videove, dokumenteve historike dhe fotove, të cilat do të realizohen me përmbajtje origjinale të historisë së Tiranës.
Ministrja Margariti vlerësoi punën e arkitektit Kazamonti dhe stafit të tij.
Puna për përfundimin e stadiumit po vazhdon, veçse duket e vështirë që ai të jetë gati në qershor për ndeshjen e Europianit ndaj Moldavisë, siç premtoi Federata./abcnews.al


