Kolesteroli është një substancë e ngjashme me yndyrën në trup. Ai prodhohet nga trupi juaj dhe gjendet gjithashtu në ushqim. Gjithashtu wshtë i nevojshëm për një shëndet të mirë, por kolesteroli i tepërt mund të dëmtojë arteriet tuaja dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Pse kolesteroli është thelbësor?
Trupi juaj ka nevojë për pak kolesterol që të funksionojë siç duhet. Për shembull, kolesteroli përdoret për të ndërtuar mure qelizore dhe për të prodhuar disa hormone.
Rreth tre të katërtat e kolesterolit në trupin tuaj prodhohen nga mëlçia juaj, pjesa tjetër vjen nga ushqimi që hani.
Kolesteroli bartet në gjak nga lipoproteinat. Llojet kryesore të lipoproteinave janë lipoproteina me densitet të lartë (HDL) dhe lipoproteina me densitet të ulët (LDL).
Kolesteroli HDL njihet si kolesteroli “i mirë”. Kjo është për shkak se HDL ndihmon për të hequr kolesterolin nga arteriet tuaja duke e çuar kolesterolin përsëri në mëlçi për t’u asgjësuar.
Kolesteroli LDL njihet si kolesteroli “i keq”. Kjo është për shkak se LDL e lë kolesterolin në arteriet tuaja.
Si dignostikohet?
Testi i kolesterolit, është një test gjaku që mat kolesterolin HDL dhe LDL. Mjeku juaj mund të testojë nivelin tuaj të kolesterolit për të ndihmuar në zbulimin e rrezikut tuaj për sëmundje të zemrës ose goditje në tru.
Faktorë të tjerë rreziku si presioni i lartë i gjakut, obeziteti, diabeti i tipit 2 dhe pirja e duhanit gjithashtu duhet të merren parasysh. Trigliceridet janë një lloj yndyre në gjakun tuaj që mund të rrisë gjithashtu rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Pse kolesteroli i lartë është i dëmshëm për shëndetin?
Edhe pse një pjesë e kolesterolit është e nevojshme për funksionimin e trupit tuaj, kolesteroli i tepërt mund të çojë në probleme shëndetësore. Kolesteroli shtesë LDL grumbullohet në muret e arterieve, duke formuar pllaka. Pllakat mund të bllokojnë arteriet tuaja, duke e bërë më të vështirë rrjedhjen e gjakut.
Si ta ulim kolesterolin?
Nëse niveli juaj i kolesterolit është i lartë, ka një sërë gjërash që bëni për të ulur nivelin e kolesterolit.
Ju mund të zvogëloni sasinë e yndyrave të ngopura në ushqimin tuaj dhe të keni një dietë të shëndetshme. Ushqimet e tipit:
– ëmbëlsira dhe biskota
– copa yndyrore të mishit
– gjalpë dhe produkte të qumështit
– ushqimet që përmbajnë vaj kokosi ose palme
Një dietë e pasur me fibra dhe ngrënia e ushqimeve të pasura me sterole bimore mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e nivelit të kolesterolit.
Nëse nuk jeni fizikisht aktiv, rritja e aktivitetit tuaj fizik mund të ndihmojë në uljen e nivelit të kolesterolit. Rritja e aktivitetit fizik të kombinuar me ushqimin e shëndetshëm mund t’ju ndihmojë gjithashtu të humbni peshë nëse jeni mbipeshë dhe të përmirësoni shëndetin tuaj të zemrës. /abcnews.al