Emocionuese, takon pas 23 vitesh zonjën e ndihmave humanitare në luftën e Kosovës

schedule19:47 - 5 Maj, 2022

schedule 19:47 - 5 Maj, 2022

Pranvera Hyseni është themeluesja e “Astronomy Outreach Kosovo”, një program që synon zhvillimin e fushës së astronomisë në Kosovë, dhe sëfundmi ishte e ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin. Përtej diskutimeve mbi arritjet e saj të shumta, Pranvera ndau me shikuesit edhe një moment shumë të ëmbël të cilës i ka ndodhur së fundmi.

Ajo rrëfeu se si 23 vite më parë, pas luftës në Kosovë, kishte marrë një dhuratë dhe një letër nga një zonjë amerikane të cilën nuk e njihte. Kjo zonjë kishte bërë bamirësi në organizatat e ndryshme të kohës për të dërguar diçka të fëmijët shqiptarë të Kosovës. Pranvera ende sot e kësaj ditë i ruante këto dhurata. Teksa studion në SHBA, vendosi të udhëtonte në Karolinën e Veriut për të takuar zonjën Thelma, dërguesen e letrës emocionuese.

“Ka qenë një kartolinë e shkruar në gjuhën angleze që në atë kohë nuk e dinim dhe nuk e kuptonim çfarë shkruhej. Pas vitesh e mësova gjuhën dhe e kuptova. Jam munduar ta kërkoj në rrjete sociale dhe ta kontaktoj personin në fjalë në rrjete sociale por nuk e kam gjetur. E vetmja mundësi ka qenë nëse shkoj personalisht në North Carolina.

Tani jam në SHBA me studime dhe vendosa të shkoj te adresa e kartolinës dhe me shpresat që personi do të vazhdonte të jetonte aty. E hapi derën një zonjë 91 vjeçare, e pyeta nëse është Thelma dhe nëse ishte dorëshkrimi i saj, mu përgjigj që po dhe i tregova arsyen pse isha aty. U emocionua dhe nuk mundi ta besojë se pas kaq shumë vitesh dikush mund të ishte prekur nga një gjest kaq i vogël.” – rrëfeu Pranvera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!