Mbrëmjen e sotme me gazetaren Mirela Milori, ka qenë i ftuar edhe Zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi. Ai është shprehur se nuk është cënuar siguria kombëtare në rastin e grabitjes së fundit në Rinas.
“Dua të them që është cënuar siguria e një objekti të rëndësisë së veçantë. Nuk është cënuar siguria kombëtare. Në rastin e aeroporti të Rinasit, kemi të bëjmë me një infrastrukturë kritike, ky territor është edhe interes ushtarak, prandaj derisa të sigurohet garancia që hyrje-daljet në aeroport janë të sigurta, policia ushtarake do të jetë e pranishme. Nuk ka lidhje me kushtetutën, policia ushtarake vepron si objekt i një ligji të veçantë”, deklaroi zv/ministri.
Pyetjes së gazetares Mirela Milori se nëse do të ishte akt terrorist? Zv/ministri u përgjigj:
“Mbetemi te ajo nëse, nuk mund të bëjmë supozime, hamendjet na çojnë në pasoja. Nuk kishim të bënim me grup terrorist por me grup të strukturuar kriminal”.
Mirela Milori: Sa i sigurtë është aeroporti i Rinasit, çfarë përgjegjësie mban qeveria shqiptare, a ka përgjegjës?
Petro Koçi: Të gjithë këto elementë nëse nuk japin rezultate të caktuara do të thotë që secili do të mbajë përgjegjësinë e caktuar. Duhet parë edhe procesi i zbatueshmerisë së kontratës.
Mirela Milori: Marrëdhënia mes koncesionarit dhe aeroportit këto 2 vite nuk ka shkuar si duhet, ka dikush përgjegjësi?
Petro Koçi: Duke mos qenë në fushën që mbaj përgjegjësi të drejtpërdrejtë, gjykoj që ka përgjegjësi, unë e theksoj që nga mënyra që është hartuar kontrata, zbatimi, miratimi i saj, çdo pjesë e saj mund të ketë probleme.
Ata që merren me zbatimin e kontratës duket se kanë zbatuar ca standarde të nivelit të ulet. Nëse aty nuk ke kamera apo të tjerë elemente, ka përgjegjësi.
Mirela Milori: Ka reagim nga NATO?
Petro Koçi: Deri tani nuk kemi patur, nuk jam interesuar drejtpërdrejt por në dijeninë time nuk ka patur. Për shkak të kësaj ngjarje kemi dale në përfundimin që siguria e aeroportit është cënuar dhe kemi marrë masën e duhur me praninë e forcave ushtarake në Rinas.
Mirela Milori: Informacioni, shërbimi informativ a ka qene në nivel në lidhje me këtë ngjarje?
Petro Koçi: Fakti që është organizuar ky grup kriminal dhe besohet që ka qarkulluar lirshëm, tregon që njerëzit e ngarkuar për informimin nuk kanë bërë detyrën e tyre si duhet, por kjo do dalë më pas, theksoj se ka vend shumë për tu përmirësuar./abcnews.al