Me miliona studentë kinezë do të shkojnë të jetojnë në fshatra.Autoritetet kineze synojnë që me këtë vendim të nxitet zhvillimi ekonomik në zonat më të varfëra të vendit. Studentët që do të transferohen gjatë pushimeve të verës, do të vendosin vullnetarisht nëse do të shkojnë ose jo.
Kina po harton një plan për të dërguar më shumë se 10 milionë studentë të universiteteve që të jetojnë në fshatra dhe në zonat më të varfëra. Objektivi është që ata të kontribuojnë në zhvillimin teknologjik, kulturor dhe mjekësor në këto zona. Plani i mbështetur dhe nga Lega e Rinisë komuniste Kineze, duhet të vihet në zbatim në vitin 2022, në përpjekje për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në zonat më të varfëra të vendit.
Studentët do të jetojnë në fshatra gjatë pushimeve të verës, dhe do ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Vendet që do të kenë prioritet do të jenë ish-bazat revolucionare dhe zonat me minoritete etnike.
Britanikja “The Guardian” shkruan se plani është kritikuar shumë në mediat sociale në Kinë, ku kanë qenë të shumtë ata që kanë krahasuar këtë plan me revolucionin e madh kulturor të promovuar nga Mao Ce Dun në vitin 1966, ku milliona studentë u dërguan të jetonin në fshatra. /abcnews.al