TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha duket se do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike.
Teksa vetë Sali Berisha ka shpallur kandidaturën publikisht për të rimarrë kryesimin e partisë, dy pretendentët e tjerë kryesor që u përfolën se do të dilnin përballë Berishës, janë tërhequr nga gara. Ishte Fatbardh Kadilli ai i cili u tërhoq nga gara ditën e djeshme, ndërsa sot me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ishte Ervin Kulluri ai i cili ndërpreu garën me ish-kryeministrin. Sipas Kullurit kjo garë është një farsë e madhe.
Vetëm disa ditë na ndajnë nga 22 maji që është parashikuar si dita ku do zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri në PD, ndërsa afati i fundit për të shpallur kandidaturën është data 7 maji. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë emër konkret që ka dalë përballë liderit historik të Partisë Demokratike.
I pyetur për garën e mundshme për postin që Berisha synon të rimarr, ai u shpreh se futet në garë për të fituar votat dhe besimin e anëtarësisë. Ai shtoi se nuk do të sajojë apo shpikë ndonjë rival që të garojë kundër tij.
“Gara ime nuk bëhet për rivalë por për anëtarët e PD-së. Unë do të paraqitem për të fituar votat dhe besimin e anëtarëve. Se çfarë vendimi do marrin të tjerët ajo nuk ka lidhje me mua. Ajo është vendim personal i gjithësecilit. Cilido që të kandidojë, e garantoj se ai komison do të krijojë të gjitha kushtet dhe mundësinë për një garë transparente. Nuk sajoj dhe nuk shpik rivalë”, tha ish-kreu i qeverisë.
Reagimi i bërë nga Ervin Kulluri:
“Te dashur miq! Dje u njoha me vendimin e nje Komisioni Zgjedhor te vete emeruar pa vendim te Keshillit Kombetar si organ i zgjedhur, qe shpalli procedurat per zgjedhjet per Kryetar te PDSH! Meqenese para disa muajsh shpalla vullnetin per te kandiduar per Kryetar te PDSH, konstatoj se: 1) Komisioni Zgjedhor eshte anti-statutor; 2) afati per “primare” prej 2 javesh eshte i njejti me afatin e vendosur nga Lul Brava qershorin e kaluar, duke mos u lene kohe kandidateve per te bere fushate; 3) ne kete Komision ka anetare te njejte nga ata qe vodhen vota per Lul Braven duke e bere kete proces po aq te pabesueshem; 4) nuk ka serish asnje transparence per listat e anetaresi se PDSH; 5) kandidatet nuk jane pyetur per perberjen e Komisionit, sipas parimit te shokut Stalin “populli voton, votat i numerojme ne”; 6) zgjedhjet po mbahen nderkohe qe PD eshte e percare me keq se 1 vit me pare!
E vetmja gje qe ndryshon nga zgjedhjet e vjedhura ne 13 qershor me keto te 22 majit eshte se po kalojme nga “Lul Brava” tek “Doktor Dryni”!
Fatkeqesisht PD dhe demokratet po tallen dhe neperkemben po njesoj prej te pakten 5 vitesh duke i privuar nga debati i lire, vota e lire dhe perfaqesimi!
Propaganda e 11 dhjetorit per “primare” e “sovranitet” vote rezultoi vecse propagande duke zhgenjyer per te disaten here demokratet e ndershem dhe opinionin publik!
Per keto arsye, vendosa te mos behem pjese e kesaj farse te shemtuar zgjedhore duke u terhequr nga kandidimi per Kryetar te PDSH me keqardhjen e dikujt qe lufton prej 5 vitesh per demokratizim real te PDSH dhe jo uzurpim te karriges se Kryetarit dhe strukturave lokale dhe qendrore!
Me shpresen se Grupi Parlamentar i PDSH si i vetmi organ legjitim do te beje perpjekjet maksimale per te nxjerre partine nga kriza me e rende ne 32 vite histori, mbetem me shpresen se ka ende nje te ardhme per opoziten!
I uroj Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarit te vete-emeruar “suksese ne jete” dhe demokrateve durim dhe besim tek rivendosja e demokracise ne Partine Demokratike!
Me respekt, Edvin Kulluri!”
/abcnews.al/