Kush është Julian Assange?

schedule18:38 - 11 Prill, 2019

schedule 18:38 - 11 Prill, 2019

Kush është Julian Assange, njeriu që me uebsajtin e tij tronditi themelet e diplomacisë amerikane?  

Për mbështetësit e tij, Julian Assange është një prijës i fushatës për të vërtetën. Për kritikët, ai është vetëm një person që kërkon të jetë në qendër të vëmendjes e që ka vënë në rrezik jetë njerëzish, duke publikuar në masë të madhe materiale të rëndësishme. Asange përshkruhet nga njerëzit që kanë punuar me të si një njeri energjitik dhe jashtëzakonisht inteligjent, i pajisur me një aftësi fantastike për të zbërthyer kodet e kompjuterëve.

Vetë ai nuk para ka folur për prejardhjen e tij, por media të shumta pas publikimit të Wikileaks janë interesuar për të. Assange lindi në Townsville të Australisë në vitin 1971 dhe kaloi një fëmijëri në zhvendosje të vazhdueshme për shkak se prindërit e tij menaxhonin një teatër lëvizës. Ai u bë baba në moshën 18-vjeçare dhe menjëherë më pas nisi betejat ligjore për kujdesin e fëmijës.

Zhvillimi i internetit i dha një shans për të përdorur aftësitë e tij në matematikë, edhe pse edhe këtu hasi vështirësi. Në vitin 1995, Assange u akuzua bashkë me një shokun e tij për një seri aktivitetesh hakerimi. Edhe pse grupi i piratëve informatikë ishte në gjendje të gjurmonte detektivët që u ishin vënë pas, Assange u arrestua dhe në gjyq u vetëdeklarua fajtor.

Ai u gjobit rëndë, por i shpëtoi burgut me kushtin e vetëm që të mos përsëriste krimet që kishte kryer. Më pas Assange kaloi një periudhë të gjatë akademike, i fokusuar në matematikë dhe fizikë. Kolegët me të cilët ka punuar e përshkruajnë atë si një gjeni që dallonte në çdo drejtim dhe që ishte shumë i dhënë pas konceptit të etikës, drejtësisë dhe atyre çfarë qeveritë nuk duhet të bëjnë.

Ai e ngriti portalin Wikileaks, që publikon dokumente konfidenciale të administratës amerikane, në vitin 2006, por do të ishte në Prill të vitit 2010 që ai do të pushtonte faqet e para të gazetave, kur publikoi pamjet e ushtarëve amerikanë që qëllonin për vdekje 18 civilë në Irak. Ai e promovoi dhe e mbrojti videon, ashtu sikurse bëri me publikimin e materialeve të klasifikuara të ushtrisë amerikanë në Afganistan dhe Irak, në Korrik dhe Tetor të të njëjtit vit.

Gjithashtu, faqja denoncuese e internetit arriti kulmin kur publikoi një seri dokumentesh, përfshirë 5 milionë email-e konfidenciale të agjencisë amerikane të inteligjencës Strefor. Por më vonë gjatë të njëjtit vit, ai u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar, pasi autoritetet në Suedi shpallën një urdhër-arrest ndërkombëtar nën akuzën e agresionit seksual.

Pala suedeze donte ta merrte në pyetje në lidhje me dyshimet se ai kishte përdhunuar një grua dhe ngacmuar seksualisht një tjetër në Gusht të vitit 2010, teksa po vizitonte Stokolmin për të mbajtur një fjalim para studentëve. Vetë Assange ka deklaruar disa herë se në të dyja rastet kontaktet kanë qenë konsensuale, por megjithatë beteja ligjore që nisi e detyroi atë të strehohej në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin.

Pasi kaloi thuajse 7 vjet brenda ambasadës, Assange u arrestua nga policia britanike më 11 Prill 2019, pasi presidenti ekuadorian Lenin Moreno bëri me dije se vendi i tij kishte vendosur t’i hiqte statusin e azilantit. Themeluesi i Wikileaks kishte argumentuar disa herë se nuk mund ta linte ambasadën për shkak se i druhej ekstradimit nga Suedia në Shtetet e Bashkuara, por oficerët e ambasadës i shpërfillën pretendimet e tij dhe e dorëzuan në policinë e Londrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!