30 punonjës të inceneratorit të Fierit protestuan sot në mëngjes pasi prej katër muaj nuk kanë marrë pagat. Inceneratori është sekuestruar nga SPAK dhe është vendosur një administrator nga shteti.
“Vijmë për një copë bukë dhe nuk ti japin”, tha një protestues.
Punëtorët theksojnë se janë ankuar tek administratori Farudin Arapi, i cili ju premtoi se do të likuidohen shumë shpejt, por deri tani kjo nuk ka ndodhur.
“Zoti, Farudin Arapi na premtoi jo këtë të martë, jo të martën tjetër edhe asnjë gjë fare. Ne presim nga shteti rrogat asgjë tjetër.”
“Të na japin paratë dhe të thonë të ikim,” u shprehën punonjësit.
Punonjësit të indinjuar thonë se për të jetuar kanë marrë para borxh.
“Për një faturë energjie të hipin në çati të shembin shtëpinë. Katër muaj pa paguar quhet fashizëm është gjenocid, ta privosh tjetrin të ushqejë familjen. Ku hanë ku pinë këta njerëz. Ky është krim.”
“S’po guxoj të shkoj në shtëpi se nuk kam ç’tju them fëmijëve. Hanë bukë ata qeveritarët.”
“Kam 6 qind mijë lekë borxh. Kush të dojë të rrijë unë nuk do rri.”
Punëtorët thanë se nëse nuk paguhen deri ditën e mërkurë do të bllokojnë hyrjen e impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe nuk do të lejojnë mjetet të shkarkojnë plehrat.
“Do bllokojmë portën, do pezullojmë punën vetëm kjo na ka ngelur se këta mashtrojnë.”
Prej disa muaj SPAK ka nisur hetimet për kompanitë që fituan koncesionet e inceneratorëve në vend.
Të arrestuar dhe në hetim për impiantin e mbetjeve në Fier janë ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i ministrisë, Alqi Bllako dhe ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi. Ish zyrtarët dyshohet se kanë favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit.
Referuar hetimit, ata i kanë paraqitur dokumente të falsifikuara qeverisë për shpronësimin e truallit ku u ndërtua inceneratori duke shkaktuar një dëm afro 16 milionë lekësh./abcnews.al/