Teuta mori një fitore të rëndësishme përballë Kukësit në Durrës, me durrsakët që arritën të fitonin me shifrat 4-1, ku Rubin Hebaj shënoi tripletë, ndërsa Daci ndëshkoi ish-skuadrën e tij duke bërë të pavlefshëm golin e Emiliano Mustës.
Pas kësaj ndeshje, trajneri Renato Arapi ishte shumë i kënaqur për fitoren, ndërsa theksoi se fitorja në Laç solli edhe ndryshimin e skuadrës.
“Të vjen mirë kur lojtarët të ndjekin. Gjithsesi, futbolli është i pabesë, duhet të jemi me këmbë në tokë, nga unë i pari. Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët për atë që dhamë sot.
Jemi bërë ekip më shumë sulmues që nga ndeshje e Kupës në Laç. Ndihem shumë i kënaqur. Të gjithë lojtarët u paraqitën shumë mirë, sidomos me sulmuesit, zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, por dhe ata që u futën nga stoli.
Miksimi i lojtarëve të rinj me ata me eksperiencë? Ka qenë prioritet futja e elementit të ri. Kemi Ledio Beqjan, ndërsa sot aktivizova Kapllanin, i cili bëri shumë mirë në ato minuta që luajti.
Dua një ekip që të mos ketë ndryshim sjelljeje në fushë. Ky është një problem mentaliteti, të cilin po tentojmë të ndryshojmë”, theksoi trajneri i Teutës. /f.a/abcnews.al