FRONTEX në kufirin Greqi-Shqipëri

schedule10:00 - 10 Prill, 2019

schedule 10:00 - 10 Prill, 2019

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, deklaroi sot (8 /04/2019) se ka informacione “për qarkullimin përmes mediave sociale të përpjekjeve për organizimit e një karvani refugjatësh nga Greqia drejt Europës”. Ai la të kuptohet që Shqipëria ka kapacitete të kufizuara për të pritur një fluks potencial refugjatësh, që mund të kalojnë në Shqipëri përmes kufirit të saj me Greqinë, kur vuri në dukje se ”Shqipëria ka ato kapacitete që ka dhe nuk mund t’i shtojë sa herë që aktivizohen valë të tilla refugjatësh.” Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i bëri këto deklarata në Tiranë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologin dhe  zv.kryeministrin e  Çekisë, Jan Hamáček.

FRONTEX në kufirin e Shqipërisë me Greqinë

Ministri i Brendshëm Lleshaj e quajti  menaxhimin e flukseve të refugjatëve „një sfidë shumë dimensionale dhe të vështirë për t’u menaxhuar dhe situata është e vështirë për t’u kontrolluar nga një vend i vetëm”.

“Situata po mbahet në kontroll të vazhdueshëm. Shqipëria ka kapacitete për të marrë pjesë në kontroll, por sigurisht nuk mjafton vetëm pjesa jonë. Kjo është një ҫështje e madhe që tejkalon përmasat e Shqipërisë dhe rajonit”, tha ministri i Brendshëm Lleshaj.

Ai solli në vëmendje situatën e vështirë në vitin 2015, i cilësuar si viti i krizës në Europë për shkak të qindra mijëra refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku, përmes Detit Mesdhe vërshuan në Europë për të shpëtuar nga lufta dhe persekutimi. Në nëntor 2015 rreth 160.000 refugjatë u sistemuan në qëndrat pritëse të Greqisë. Por ngjarjet e fundit në kufirin greko-shqiptar tregojnë se synim i tyre është të ikin në Europën e Veriut, përmes Shqipërisë apo Maqedonisë. A mund të mbahet nën kontroll situate a e një vërshimi të mundshëm të tyre në Shqipëri? Ministri i Brendshëm Lleshaj jep një përgjigje pozitive të kushtëzuar nga bashkëpunimi me partnerët europianë.

“Shqipëria do t’ia dalë të menaxhojë situatën dhe ta mbajë nën kontroll, pasi është më e koordinuar me partnerët e saj europianë dhe FRONTEX, që aktualisht ndodhet në kufirin e përbashkët të Shqipërisë me Greqinë.

Siguria e kufirit

Shqipëria është vendi i parë jo anëtar i BE që nënshkroi në vitin e kaluar marrëveshjen e bashkëpunimit me BE për menaxhimin e kufinjve, e njohur si marrveshja me FRONTEX, ( European Border and Coast Guard Agency). Kjo marrëveshje i lejon BE të koordinojë bashkëpunimin operacional me Shqipërinë për menaxhimin e kufinjve të jashtëm të BE. Në fokus të bashkëpunimit është migrimi ilegal, flukset e migrantëve dhe krimi ndërkufitar. Që nga marrveshja me FRONTEX, vitin e kaluar, është rritur asistenca teknike dhe operacionale e BE në kufinjtë e Shqipërisë. Menaxhim efektiv i kufinjve të  jashtëm të BE, mbajtja nën kontrol e flukseve potenciale migratore, lufta kundër kontrabandës së emigrantëve vazhdojnë të jenë sfida të rëndësishme për Shqipërinë, rajonin dhe BE./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!