Basha nis turin kombëtar: Asnjë dialog nuk do të nisë pa larguar Ramën

schedule15:26 - 9 Prill, 2019

schedule 15:26 - 9 Prill, 2019

Asnjë dialog nuk do të nisë pa larguar kryeministrin Edi Rama. Është ky mesazhi që ka përsëritur Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në takimet që ka zhvilluar në Kukës e Kurbin.

Tur kombëtar ka nisur Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha këtë javë. Në të gjitha takimet mesazhi që përcjell është një:

Asgjë nuk do të përparojë, asnjë dialog nuk do të nisë, pa larguar shkaktarin dhe arkitektin e narko-shtetit. Dhe mesazhi që kumbon kudo është ky: Nuk do të ketë më demokraci fallco, nuk do të pranojmë më parlament fallco, nuk do të pranojmë më drejtësi fallco, nuk do të pranojmë më ekonomi fallco. Është koha për Shqipërinë e demokracisë së vërtetë, lirisë së vërtetë, Shqipërinë e vlerave të vërteta evropiane”, ka thënë Basha.

Në takimet në Kukës dhe Kurbin kreu i opozitës u kërkoi demokratëve të jenë pranë qytetarëve njësoj si në fushatë për të afruar ditën e largimit të kryeministrit më të korruptuar në Evropë sipas tij.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër do t’i jepnin mandatin qeverisës Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Por miqtë e mi, zgjedhjet nuk do të mbahen nesër. Dhe zgjedhje në Shqipëri nuk do të ketë pa garantuar kushtet dhe standardet që kurrë më krimi dhe kriminelët, hajdutët dhe oligarkët, të mos diktojnë një tjetër fallco-parlament dhe një tjetër fallco-qeveri” deklaroi ai.

Mazhoranca e ka veç propagandë reformën në drejtësi sipas Lulzim Bashës. Drejtësia e vërtetë nuk bie mbi të pafajshmit e të varfrit theksoi ai.

“Nesër vendi do të ketë një drejtësi të vërtetë, jo me dy standarde, por me një standard, jo një drejtësi që burgos të pafajshmit, fukarenjtë, që s’paguajnë dot faturat e dritës, që nuk ushqejnë dot fëmijët me bukë, ndërkohë që ministrat e korruptuar e të lidhur me krimin livadhisin, kalërojnë, këndojnë karaoke, dhe nuk gjejnë dot vend të mjaftueshëm për të fshehur tonelatat e thesit të eurove që kanë vjedhur nga populli më i varfër. Janë kapur duke vjedhur. Ata do të jenë në burg, ata do të jenë para drejtësisë, dhe jo qytetarët e pafajshëm. Ndaj, pika e parë e ndryshimit që po vjen është drejtësia që nuk do t’i mbrojë, por do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin. Do t’i çojë në burg ata që janë kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve, lekët e shqiptarëve, pasuritë e shqiptarëve”.

Kreu i opozitës u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës së 13 Prillit për t’i dhënë vetes dhe vendit mundësinë te drejtohen nga një qeveri, e cila, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, do ta lidhë fatin e saj me atë të qytetarëve.

“Kjo është beteja që duhet të çojmë deri në fund përpara ndeshjes në kushte të barabarta, ku padyshim, Partia Demokratike ka një program fitues dhe ju ofron ndryshimin për jetën e çdo shqiptari”, tha Basha./abcnews.al