Shqiptarëve iu shkurtua më së shumti jeta në Europë nga pandemia e Covid-19

schedule08:31 - 28 Prill, 2022

schedule 08:31 - 28 Prill, 2022

Jetëgjatësia e pritshme në lindje e shqiptarëve në vitin 2020 u shkurtua me 1.7 vite në 2020-n, si rrjedhojë e pasojave të pandemisë.

Por, të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se pasojat e Covid-19 në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kanë qenë më të rëndat. Në Maqedoninë e Veriut, jetëgjatësia u shkurtua me 2.2 vite, më shumë nga të gjithë shtetet e tjera të Europës. Shqipëria renditet e dyta, pas Maqedonisë së Veriut. Të dhënat për Kosovën mungojnë. Për të gjithë Europën, jetëgjatësia shënoi një rënie prej -0.9 vjet.

Të dhënat e mëparshme të Eurostat dhe institucioneve statistikore rajonale kanë treguar se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova janë tre shtetet që kishin rritjen më të madhe të vdekjeve shtesë gjatë pandemisë.

Sipas të dhënave zyrtare të ASK (Agjencisë së Statistikave të Kosovës), në Kosovë, vdekshmëria kumulative shtesë për periudhën mars 2020-shtator 2021 në krahasim me periudhën përkatëse mesatare 2018-2019 ishte +43.4%.

Për Maqedoninë e Veriut, rritja e fataliteteve për të njëjtën periudhë është +42.6%, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Republikës së Maqedonisë, të përpunuara nga Monitor.

Të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur vendin tonë të tretin në Europë.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2020, jetëgjatësia në lindje në BE ishte 80.4 vjet. Kjo shifër ishte 5.7 vjet më e lartë për gratë (83.2 vjet) sesa për burrat (77.5 vjet). Në fakt, jetëgjatësia e femrave ishte më e lartë se jetëgjatësia e meshkujve në çdo rajon me të dhëna të disponueshme.

Krahasuar me vitin 2019, jetëgjatësia në lindje pësoi një rënie (-0,9 vjet). Meshkujt patën një rënie më të madhe të jetëgjatësisë (-1.0 vjet) sesa gratë (-0.8 vjet). Megjithatë, kjo ulje e jetëgjatësisë në lindje lidhet me rritjen e papritur të vdekshmërisë në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19, sipas Eurostat.

Në vitin 2020, rajonet në BE me nivelet më të larta të jetëgjatësisë në lindje ishin në Francë, Spanjë, Itali dhe Greqi. Rajoni i BE-së me jetëgjatësinë më të lartë në lindje ishte ishulli francez i Korsikës (84,0), i ndjekur nga Ishujt Balearik në Spanjë (83,9) dhe rajoni i Epirit në Greqi (83,8).

Nga ana tjetër, rajonet e BE-së me jetëgjatësinë më të ulët në lindje ishin të gjitha në Bullgari: Veri-Perëndim (72.1), Veri-Qendror (72.8) dhe Bullgaria Veriore dhe Juglindore (72.9).

Ishulli francez i Korsikës kishte jetëgjatësinë më të lartë të femrave (87.0 vjet), i ndjekur nga rajoni spanjoll i Galicia (86.7). Dy rajone franceze (Loire dhe Midi-Pyrénées), Ishujt Åland në Finlandë dhe rajoni i Epirit në Greqi shënuan të njëjtën jetëgjatësi të femrave; 86.4 vjet.

Nivelet më të larta të jetëgjatësisë së meshkujve në lindje u regjistruan në rajonin e Epirit në Greqi, rajonin e Umbrias në Italinë qendrore dhe Ishujt Balearik në Spanjë (të gjithë 81.4).

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!