Arbër Çekaj kërkon azil në Gjermani

schedule13:14 - 9 Prill, 2019

schedule 13:14 - 9 Prill, 2019

Arbër Çekaj ka kërkuar azil politik në Gjermani me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Autoritetet gjermane refuzojnë ta ekstradojnë pronarin e “Arbri Garden”, në kontenierin e të cilit u kapën 613 kg kokainë, dy vjet më parë. Kjo sepse Çekaj po hetohet paralelisht edhe nga drejtësia e atjeshme.

 

Arbër Çekaj pronari i “Arbri Garden” ka kërkuar azil politik në Gjermani. Kërkesa e tij  po shqyrtohet nga Gjykata gjermane e Essen. Sipas burimeve, Arbër Çekaj kërkon nga shteti gjerman mbrojtje me pretendimin se atij dhe familjarëve u rrezikohet jeta nëse i kthejnë në shqipëri. Edhe avokati i Çekajt e pohoi këtë fakt, ndërsa shtoi se klienti i tij është në proces ekstradimi.

Arbër Çekaj dyshohet që të jetë i përfshirë në trafikun e drogave të forta pasi në një nga kontenierët e kompanisë së tij në Maminas, u gjetën  613 kg kokainë.

Prokuroria e krimeve të rënda edhe më herët ka kërkuar ekstardimin e Çekajt në Shqipëri për ta pyetur në lidhje me pronësinë e 613 kg kokainë, për të cilën ka mohuar të kishte dijeni. Gjermania refuzoi kërkesën e Krimeve të Rënda, për ekstradimin e Çekaj në Shqipëri, me argumentin se ky person është nën hetim në Gjermani, pasi autoritetet vendase po kryejnë hetime paralele me Shqipërinë për trafikun e kokainës. Organi i akuzës ka lënë në burg shoferin e kamionit Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj, i cili sipas hetimeve, do të merrte në dorëzim mallin e mbërritur nga Kolumbia.

Sasia e lëndës narkotike e fshehur mes bananeve u zbulua me 27 shkurt 2018, ndërsa Çekaj ishte arratisur në Gjermani përpara se lënda narkotike të zbulohej nga policia. Pronari i “Abri Garden” u arrestua Dyseldorf, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën dokumente me mbiemrin e bashkëshortes gjermane, Jansen.

/abcnews.al