Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, përpjekje të përbashkëta për energji të rinovueshme me mbështetjen e BE-së

schedule11:13 - 27 Prill, 2022

schedule 11:13 - 27 Prill, 2022

Nga Bojan Stojkovski; Emirjon Senja; Enkeleda Bodini

Kriza e fundit e çmimeve dhe sidomos e energjisë konfirmoi edhe njëherë domosdoshmërinë e shteteve të Europës, por edhe rajonit tonë për të diversifikuar burimet energjetike nga ato fosile në të rinovueshme.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të hapjes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian, por krahas këtij, vendeve iu duhet që të integrohen në sistemin energjetik të BE-së deri në vitin 2030. Kjo mbart mjaft sfida në vetvete, në një rajon, i cili pavarësisht përpjekjeve të viteve të fundit mbetet ende pas standardit të BE-së.

Siguria energetike në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut mbart sfida të mëdha për aq kohë sa sistemi shqiptar varet drejtpërdrejt nga reshjet e shiut, pasi prodhimi bëhet tërësisht prej HEC-eve, ndërkohë që Maqedonia e Veriut duhet të sakrifikojë ambientin ose të shpenzojë shumë në teknologji për të mbajtur funksional TEC-et e saj me qymyr.

Megjithatë, projektet e viteve të fundit janë shpresëdhënës në drejtim të prodhimit të energjisë së rinovueshme për aq kohë sa rajoni mbart kapacitete të larta sa i përket shfrytëzimit të diellit dhe erës.

Maedonia e Veriut, një bum projektesh gjatë 2021

Gjatë viteve të fundit, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar mënyra se si ta transformojnë vendin në një parajsë të energjisë së rinovueshme, me projekte dhe investime të reja rajonale që janë shtuar veçanërisht në vitin 2021.

Kapaciteti i instaluar për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme në Maqedoninë e Veriut është rreth 37% e kapacitetit të përgjithshëm, sipas një raporti vjetor të Komisionit Rregullativ të Energjisë Elektrike. Megjithatë, vendi synon ta rrisë këtë përqindje deri në 50% deri në vitin 2024.

Projekte dhe investime të mëdha miqësore me mjedisin

Gjatë vitit të kaluar, disa kompani të mëdha evropiane propozuan projekte madhore për sektorin energjetik të Maqedonisë së Veriut.

Në qershor 2021, Grupi Austriak “Erste” njoftoi se sëbashku me Bankën Austriake të Zhvillimit (OeEB), do të financonin ndërtimin e projektit të dytë të një parku eolik në vend të quajtur Bogoslovec, në një marrëveshje me vlerë 61 milion euro. Parku eolik me kapacitet të instaluar 36 MW pritet të përfundojë deri në vitin 2023, duke prodhuar energji të pastër për më shumë se 20 mijë familje.

Në tetor 2021, zhvilluesi gjerman i parqeve eolike dhe fotovoltaike WPD njoftoi se do të merrte pjesë në investimin më të madh të drejtpërdrejtë të gjelbër të Maqedonisë së Veriut. Projekti është parku eolik me kapacitet të instaluar 400 MW i quajtur “Virovi”, me vlerë 500 milionë euro, i cili pritet të përfundojë brenda gjashtë viteve. Maqedonia e Veriut nënshkroi gjithashtu një partneritet strategjik me WPD për 45 vjet.

Në fund të nëntorit, prodhuesi francez i energjisë së rinovueshme “Akuo Energy” njoftoi se do të investojë 270 milionë euro në një park fotovoltaik me një kapacitet deri në 400 MW në vend. Ndërtimi pritet të përfundojë në fund të vitit 2024.

Në fund të vitit të shkuar, vendi ndërmori gjithashtu hapat e parë për të një tranzicioni nga energjia fosile në atë të pastër.Autoritetet ndërtuan një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar 10 MË në një zonë të shkatërruar të termocentralit.

Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila financoi projektin, parku i ri fotovoltaik në Oslomej do të ndihmojë në parandalimin e emetimit të më shumë se 12 mijë ton CO2.

“Në pjesën e sektorit energjetik ekziston vendosmëria për mbylljen e REK Manastiri deri në vitin 2030 dhe shndërrimin e TEC Oslomej në park fotovoltaik. Investimet e reja për ndërtimin e termocentraleve me erë synojnë edhe dekarbonizimin e sektorit të energjisë. Pritet që në periudhën e ardhshme autoritetet të forcojnë dhe theksojnë përpjekjet për të rritur implementimin e programeve më të gjelbra”, shpjegon ekspertja mjedisore nga Struga, Emina Rustemoska.

Shqipëria, një potencial ende i pashfrytëzuar për burimet e energjisë së rinovueshme

Për shkak të pozicionit gjeografik dhe relievit, Shqipëria ka kapacitete të mëdha për shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme siç është era, dielli, biomasa dhe ajo gjeotermale. Vendi prodhon tashmë më shumë se 90% të energjisë elektrike nga HEC-et duke e bërë të varur drejtpërdrejt nga reshjet, ndërsa në mungesë të tyre duhet të importojë me çmime të larta.

Kjo e rendit Shqipërinë si vendin e tretë në Europë për nga pesha e energjisë së rinovueshme në totalin e energjisë së prodhuar, megjithatë një fakt i tillë nuk jep siguri pasi në mugesë të reshjeve Shqipërisë i duhet të importojë me çmime tepër të larta. Treguesi më i drejtpërdrejt i kësaj është periudha janar-mars 2022 ku KESH-it iu desh të importonte një MWenergji elektrike deri në 250 euro.

Komisioni Europian shprehet në raportin e vitit të shkuar për Shqipërinë se në sajë të pozitës së saj gjeografike dhe burimeve natyrore vendi ka një potencial të lartë zhvillimi për të shfrytëzuar burimet e rinovueshme të vendit.

Një tjetër raport konkludon se investimet e energjisë së rinovueshme mund të krijojnë gjithashtu një gamë të gjerë përfitimesh për Shqipërinë, përfshirë edhe energji të mjaftueshme, një rrjet më të përmirësuar ku mund të mbështetet dhe vende të reja pune.

Qeveria e shqiptare e ka përfshirë në planin e saj strategjik 2030 rritjen e peshës së eNergjisë së rinovueshme duke shfrytëzuar erën dhe diellin. Sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, vendi ka një potencial për të prodhuar 2000 Më energji elektrike nga parqet eolike si edhe një potencial për të prodhuar 1185 kWh/m2 deri në  1700kWh/m2 në vit nga parqet fotovoltaike.

Shqipëria synon që në pesë vitet e ardhshme të mundësojë investime që do të prodhonin deri në 7-8% të totalit të energjisë nga parqet eolike dhe ato fotovoltaike. Momentalisht vendi prodhon vetëm 2000 MË nga parqet voltaike, por kjo sasi është shumë e ulët krahasuar me potencialin.

Njëri prej projekteve të para të impianteve fotovoltaike në vend është ai në HEC-in e Banjës me kapacitet të instaluar 2 MWp, një investim i kompanisë “Statkraft”. Kompania njoftoi vitin e shkuar se kishte filluar të gjeneronte energji prej këtij impianti të vendosur mbi ujërat e liqenit të Banjës.

Gjithashtu, qeveria shqiptare ka shpallur ankandin për ngritjen e parqeve eolike me fuqi të instaluar nga 10 MW deri në 75 MW duke siguruar edhe financim për investitorët e mundshëm, gjë e cila do të mbështetet nga BERZH. Qeveria shqiptare ofron 20 hapësira për prodhimin e energjisë elektrike përmes fuqisë së erës nga veriu në jug.

Maqedoni e Veriut-Shqipëri dhe BE nga pas, tragetet me energji diellore do të lidhin qytetet buzë Ohrit

Përpjekja e Maqedonisë së Veriut për t’iu bashkuar BE-së mund të luajë një rol thelbësor në tranzicionin e saj drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, pasi disa nga kërkesat e BE-së përfshijnë gjithashtu rritjen e pjesës së energjisë së rinovueshme dhe të pastër.

Duke pasur parasysh përvojën e deritanishme në përdorimin e fondeve të disponueshme të BE-së, ajo që duhet bërë në periudhën e ardhshme është që autoritetet të forcojnë kapacitetet e nevojshme për të ndihmuar në absorbimin dhe përdorimin e këtyre fondeve. Pavarësisht nga momenti kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapin zyrtarisht negociatat për anëtarësim, autoritetet duhet të sigurohen që të mos ketë asnjë pengesë për përmbushjen e standardeve në fushën e mjedisit dhe klimës.

Metodologjia e re e negociatave të BE-së përcakton qartë rrugën që duhet të ndiqet për të përmbushur kriteret e BE-së nga Axhenda e Gjelbër “Cluster 4” dhe lidhjes së qëndrueshme, sipas të cilave në mënyrë të pashmangshme do të çojë në forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Prandaj, një projekt si ai për linjën e transportit ujor që lidh qytetet e Strugës dhe Ohrit me Pogradecin duke përdorur tragete të vegjel me energji diellore do të ishte një hap në drejtimin e duhur.

Në të njëjtën kohë, përveç qasjes mjedisore, projekti do të nxisë lidhjen, si dhe do të trajtojë disa nga çështjet mjedisore me të cilat përballen të dy vendet, veçanërisht kur bëhet fjalë për konsumin e energjisë dhe krizën e energjisë që ka prekur Europën, gjë që u pasqyrua edhe në të dy vendet gjatë muajve të dimrit.

Me ndihmën e fondeve nga Instrumenti i BE-së për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), dy vendet fqinje po kërkojnë të përfundojnë këtë projekt, i cili do të sjellë përfitime ekonomike dhe mjedisore për rajonin.

Programi IPA-CBC është një program ku bashkitë nga dy shtete, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria aplikuan bashkërisht për grante përmes bashkive të Strugës dhe Pogradecit. Komuna e Ohrit më vonë iu bashkua një versioni të modifikuar të projektit, me vlerë rreth 1.1 milionë euro”, tha shefi i Departamentit për Fondet e BE-së dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Komunën e Strugës, Albrim Polozhani.

Projekti gjithashtu parashikohet të bëhet një atraksion turistik për rajonin. Aktualisht është në fazën përfundimtare pasi të dyja palët po bëjnë përpjekjet e fundit për marrjen e lejeve të kërkuara dhe përgatitjet për nisjen zyrtare të projektit.

Tragetet e vegjël me energji diellore dhe të gjitha materialet që përdoren për infrastrukturën e nevojshme janë në përputhje me rekomandimet zyrtare nga ekspertët përkatës të mjedisit. Duke patur parasysh numrin e qytetarëve dhe turistëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri dhe anasjelltas, futja e linjës së trageteve me energji diellore do të jetë e dobishme edhe nga pikëpamja turistike dhe ekonomike”, shtoi Polozhani.

Ky projekt shihet edhe me më tepër entuziazëm në anën tjetër të liqenit. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli shprehet se pret një rritje të numrit të vizitorëve pas fillimit të funksionimit të kësaj linje, ndërkohë që zbardh detaje të saj.

Janë planifikuar tre tragete të tillë me kapacitet nga 50 vende secili. Aktualisht jemi në fazë pune dhe sa i përket Pogradecit duhet që të fillohet me ndërtimin e molit, ku edhe do të ankorohen keto mjete lundruese”, tha ai.

Xhakolli shton se projekti parashikon ngritjen e një shoqate të përbashkët, e cila do të bëjë menaxhimin e projektit në fjalë, ndërsa shprehet se krahas tragetit është parashikuar edhe mundësimi i të gjithë infrastrukturës së nevojshme për mundësimin e levizjës, ankorimin, menaxhimin e udhëtarëve dhe mirëmbajtjen e tij.

Në projekt është edhe një dragë për rërën dhe një pompë”, shprehet ai duke shtuar se Bashkia e Pogradecit do të ofrojë çdo lehtësi të nevojshme për realizimin e këtij projekti.

Sipas ekspertëve, projekte të tilla për bashkëpunim rajonal mund të përfitojnë shumë edhe qëllimet për tranzicionin energjetik dhe arritjen e sigurisë energjetike të këtyre vendeve.

“Për sa i përket planeve të shpallura për bashkëpunim rajonal me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, lidhja me një rrjet transmetimi modern, ndër rajonal dhe evropian është një parakusht për një tranzicion të suksesshëm energjetik dhe siguri energjetike”, thekson Ivana Vuckova, koordinatore e programit të Friedrich Ebert Stiftung për Demokracinë Energjetike në Shkup.

Prandaj, çdo projekt i tillë duhet të mirëpritet, sepse investimet e përbashkëta në energji janë sinjal i qartë për ndërtimin e një rajoni konkurrues, në vend që të praktikohet konkurrenca e ndërsjellë, e cila siç e kemi parë deri më tani nuk i sjell askujt dobi”, vuri në dukje Vuckova.

Ohri, Struga dhe Pogradeci janë lidhur edhe më herët në mënyrë spontane me linja trageti, kryesisht në verë, por projekti në fjalë duket të jetë më tepër premtues dhe afatgjatë duke hedhur themelet e një bashkëpunimi më të thelluar në vijim si një shembull i fqinjësisë së mirë dhe integrimit të përbashkët në BE.

 

 

Financuar nga Bashkimi Europian

Projekti rajonal  PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPMInstituti Shqiptar i MediasMediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0Instituti Malazez i MediasInstituti Maqedonas për MedianShkolla e Gazetarisë e Novi SadInsittuti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e artikullshkruesve dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.