Kryegjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Fehmi Petku, nuk e kaloi sitën e vettingut. Petku u shkarkua paraditen e 9 prillit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjatë seancës, KPK-ja e akuzoi atë se kishte fshehur pasurinë, kishte kryer deklarim të rremë dhe kishte kontakte të papërshtatshme. Këto pretendime u rrëzuan nga Petku, duke thënë se ato janë të pasakta, si për pasurinë, ashtu edhe për dy kriteret e tjera.
Një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ka ngritur dyshime se kreu i gjykatës së Apelit të krimeve të rënda, Fehmi Petku kishte kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe se i biri mund të vihej nën presion nga krimi i organizuar. Por Petku i kundërshtoi përfundimet e DSIK-ut dhe Komisionit.
Edhe drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit paraditen e 9 prillit. Ky vendim ka revoltuar Ademin,
Për prokurorin u ngritën dyshime për deklarim të rremë, fshehje të pasurisë dhe konflikt interesi, si dhe deklarim të rremë në lidhje me njohjen e dy personave me precedentë penal. Kryeprokurori i mohoi gjetjet e KPK-së, ndërsa e nisi mbrojtjen e tij, duke hedhur dyshime se mund të jenë ndikuar në hetimin e tyre nga një person i dënuar për trafik narkotikësh. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra edhe Ferdinand Elezin drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Durrës. Elezi nuk kishte deklaruar një apartament që e kishte dhënë me qera./abcnews.al