Vladimir Putin përsëriti gjerë e gjatë justifikimin e tij për pushtimin e Ukrainës sot. Ndërkohë që bombardimet nuk ndalen dhe me qindra ukrainas të pafajshëm vriten çdo ditë, shefi i Kremlinit në një përgjigje për kreun e OKB, Antonio Guterres thotë se ende presin zgjidhje diplomatike.
“Ne ende presim dhe shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje përmes një kanali diplomatik” , është shprehur ai, raporton BBC, përcjell abcnews.al.
Putin tha se bisedimet e fundit në Stamboll kishin arritur përparim, por sugjeroi se ishin prishur pas raporteve për mizori kundër civilëve në qytetin ukrainas Bucha.
Ai pretendoi se këto ishin provokim dhe shtoi se ushtria ruse nuk kishte asnjë lidhje me të. Megjithatë, thotë më tej se bisedimet vazhdojnë dhe ai shpreson që të arrijnë një rezultat pozitiv.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Prej dy muajsh vijojnë luftimet, ndërsa pas tërheqjes nga Kievi, forcat ruse janë fokusuar në lindje të vendit. g.v/abcnews.al