ELBASAN – ABC ka mësuar detaje ekskluzive që “fshihen” pas arrestimit të një ndër më të kërkuarve të drejtësisë shqiptare, atë të Nuredin Dumanit. Një burim i tha ABC, se Nuredin Dumani ka qenë i kontaktuar nga një grup kriminal që operon në qytetin e Elbasanit, për të ekzekutuar Sokol Sanxhaktarin.
I njëjti burim pohoi për ABC se vrasja në fjalë ishte porositur të ndodhte rreth dy vite më parë, dhe Nuredin Dumani për të realizuar misionin e marrë për sipër, ishte vendosur dy muaj në një zonë të Elbasanit, ku do të studionte të gjithë lëvizjet e Sokol Sanxhaktarit për të gjetur momentin e duhur për ta eliminuar. Aktualisht Sanxhaktari është i dënuar për një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Elbasanit.
Po të njëjtat burime shtuan se në këtë pistë është duke u hetuar me qëllim hedhjen dritë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, që më pas çoi në arrestimin e Nuredin Dumanit. Po ashtu mësohet se Nuredin Dumani është marrë në pyetje nga oficerët e Byros Kombëtare të Hetimit. Gjatë hetimeve, oficerët e BKH kanë pyetur Dumanin lidhur me objektivin që ai kishte për të eliminuar dhe për porositësit, si dhe për ngjarje të tjera që janë të lidhura pas emrit të Nuredin Dumanit.
Si u arrestua Nuredin Dumani?
Dumani së fundmi duket se ishte përgatitur për një tjetër porosi. Ai duket se kishte gjetur mundësinë dhe mënyrën si të përmbushte misionin e tij dhe më 29 mars nisi “gjuetinë”.
Në një makinë tip “X5” të vjedhur po ashtu me një palë targa të vjedhura, Dumani duket se ishte nisur për të kryer atentat, ndërsa me vete në makinë kishte marrë edhe disa litra benzinë, si duket për të djegur makinën dhe për të fshirë çdo gjurmë të tij.
Por diçka shkoi keq për Dumanin. Përllogaritjet e tij në Papër të Elbasanit nuk dolën siç i kishte bërë, ku nga “gjahtar” u kthyer në “pre”. Dumani pati një përplasje me armë, ku thuhet se kundërshtari ishte Talo Çela, por ende mbetet e pakonfirmuar. Nga plumbat Dumani, mbeti i plagosur me një plumb në kurriz që i kishte depërtuar deri lart në mushkëri. Edhe pse i plagosur, Dumani mundi të ikte nga “zona e minuar” ku ra në grackë, braktisi mjetin tip “X5” dhe u largua në drejtim të qytetit të Fierit. Por për Dumanin nuk kishte marrë fund gjithçka. Pasi RENEA dhe FNSH i ishte vënë pas. Vetëm pak kohë pas ngjarjes në Papër, Dumani u kap në një apartament në qytetin e Fierit ku ishte mjekuar nga disa mjekë. Po ashtu në pranga ra edhe miku i tij Henrik Hoxhajt, 40 vjeç i cili po ashtu dyshohet se lidhet me disa ngjarje kriminale.
RENEA-s dhe FNSH në një pallat 9-katësh në lagjen ‘Apollonia’ në Fier, ku dhe ishte fshehur Dumani pas krimit, teksa i janë vënë prangave edhe 2 shokëve të tij. Gjatë këtij operacioni, iu gjetën edhe snajper, armët e tjera, dylbi dhe jelek anti-plumb, që janë shndërruar në provën më të fortë të uniformave blu.
Por kush është objektivi Sokol Sanxhaktari, i cili nxori nga “strofulla” Nuredin Dumanin?
Sokol Sanxhaktari është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Elbasanit. Ai është dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Sanxhaktari u dënua për vrasjen e Florian Lamçe në Elbasan me datë 30 korrik të vitit 2020. Po 18 vite burg është dhënë edhe për shokun e tij, Adriano Hajdari. Për të dy është vendosur që të vuajnë dënimin e plotë dhe të mos përfitojë Lirim me kusht.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 30 korrik të viti 2020 në orën 4 të mëngjesit, kur Sanxhaktari, Hajdari dhe Florian Lamçja ndodheshin në një lokal në Elbasan duke konsumuar pije alkoolike dhe nargjile. Florian Lamçja gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të shumta me karrige në kokë. Veç dëmtimeve të shumta në fytyrë, kishte një të çarë me mjet prerës në parakrahun e dorës së djathtë. Dy të akuzuarit pas arrestimit nga policia kanë thënë se ishin të dehur dhe nuk mbajnë mend çfarë ndodhur.
Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini ka mbi supe një histori të gjatë kriminale.
Ai dyshohet se është i përfshirë në grupin e bandës së Suel Çelës, një emër edhe ky jo pak i njohur për profilin e tij kriminal. Suel Çela akuzohet si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.
Sokol Sanxhaktari është vënë disa herë në prangat e policisë për vepra të ndryshme penale, por që gjithmonë ‘ia ka hedhur paq’, duke fituar lirinë shumë shpejt, qoftë edhe pas dënimeve që i janë dhënë nga gjyqtarët.
Sanxhaktari njihet për profilin e tij kriminal, duke pasur parasysh faktin se në shumë raste ishin viktimat të tërhiqeshin nga akuzat, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit.
Dënimet ndër vite për Sokol Sanxhaktarin:
1.Më 9 qershor 2008, Sokol Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e Elbasanit për veprat penale të “Shkatërimit të pronës” dhe “Prishjes së rendit dhe sigurisë publike”.
2.Më 1 korrik 2008, Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e rrethit Elbasan me 3.4 milion lekë gjobë, për akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Së bashku me të u dënua dhe shoku i tij, Altin Mehja.
3.Më 29 qershor 2010 Sanxhaktari është dënuar me 3 muaj e 10 ditë burg për armëmbajtje pa lejë dhe plagosje të lehtë në dëm të shtetasit Ervis Daka.
4.Më datën 31 tetor 2010 është dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa lejë” dhe “Kundërshtim të forcave të rendit”.
5.Më datën 4 prill 2016 Sanxhaktari është dënuar me 1 vit burgim, pasi është arrestuar me pistoletë pa lejë dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Plagosjet ku rezulton i përfshirë Sokol Sanxhaktari:
1.Në mëngjesin e datës 2 shtator 2008, dy persona u plagosën në lagjen “Qemal Stafa”, në afërsi të televizionit “Dardan”. Objektiv i atentatit ishte Endri Biçoku, 25 vjeç. Ai ishte duke dalë nga lokali në pronësi të shtetasit Ardjan Veci, i cili mësohet se edhe ky ngeli i plagosur. Policia identifikoi si autor të kësaj plagosje të dyfishtë Sokol Sanxhaktarin.
2.Një vit më pas Sokol Sanxhaktari është sërish protagonist i një tjetër plagosje. Në orët e para të mëngjesit të datës 26 dhjetor 2009, pranë ish-kinema “Metalurgu”, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, mbeti i plagosur me armë zjarri, 27 vjeçari Julian Piu. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila identifikoi dhe shpalli në kërkim tre të rinjtë Sokol Sanxhaktari, Gjergji Verushi dhe Mirjam Dedja, si autorë të plagosjes së Julian Piut.
3.Po kështu, në fillim të vitit 2010, Sokol Sanxhaktari akuzohet për plagosjen e një tjetër personi, në Elbasan. Këtë herë, viktimë e plagosjes ishte i riu Elvis Bako.
Si e ka ‘shfrytëzuar’ Sokol Sanxhaktari lidhjen e tij familjare me ish-kryetarin e Bashkisë Elbasan:
Në janar të vitit 2016, Sokol Sanxhaktari i shkruan drejtuesit të Prokurorisë Elbasan, Besnik Cani, që të zëvendësojë prokuroren e çështjes, Erinda Lamkën. Në letrën e shkruar, 34-vjeçari aludonte se akuzat i ishin ngritur për shkak të lidhjes që ai kishte me ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Sanxhaktari vijonte duke thënë se Prokurorja e çështjes po kryente hetime tendencioze dhe keqdashëse ndaj tij, pasi vjehrri i tij nuk kishte pranuar t’i punësonte bashkëshortin.
Ngjarja për të cilën prokuroria ngriti akuza penale ndaj Sanxhaktarit kishte ndodhur mbrëmjen e 20 dhjetorit 2015. Salla operative e Policisë në Elbasan atë kohë është njoftuar se një person ndodhej i armatosur në ambientet e një lokali “Lloto-Sporti”, ne lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit, i cili pas verifikimeve rezultoi se ishte pikërisht Sokol Sanxhaktari. /abcnews.al/