Presidenti Ilir Meta është shprehur i pakënaqur me situatën politike në vend. Në mbledhjen e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Danimarkë, gjatë fjalës së tij kryetari i shtetit nënvizoi se shpreson se politika do të ndryshojë qëndrim sa më shpejt të jetë e mundur, duke vendosur të dialogojnë.
E ndau shqetësimin e tij edhe me byronë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Danimarkë.
Duke nënvizuar dialogun si celësin e për të kuptuar kërcënimet reale ndaj lirive themelore, demokracisë dhe sundimit të ligjit pranë dhe larg nesh, Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk e sheh optimiste në këtë drejtim situatën politike në vend.
“Së afërmi, Shqipëria pret Raportin e Përparimit të Komisionit Europian dhe vendimin pasues të Këshillit Europian lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim. Do të kisha dashur një gjendje më optimiste politike të vendit tonë, të paraprirë nga një dialog politik i mirëstrukturuar dhe konsensus i përparuar mbi 5 fushat kryesore të reformave”.
Nuk e ka humbur shpresë kryetari ishtetit shqiptar se politika do të kthejë në rrugën e duhur.
“S’e fsheh dot faktin që nuk jam i kënaqur me situatën aktuale, për të cilën shpresoj të marrë një kthesë 180 gradëshe të arsyeshme sa më shpejt të jetë e mundur dhe më mirë herët, se sa më vonë, duke pasur parasysh gjithashtu rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria duhet të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një faktor vendimtar për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti si i Ftuar Nderi mbledhjen e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në kryeqytetin e Danimarkës, në Kopenhagen. /abcnews.al