Shtatëzanitë e fshehura, mjeku flet për fenomenin që ndodh me vajzat dhe gratë: Si arsyetohen ndryshimet në trup

schedule12:47 - 25 Prill, 2022

schedule 12:47 - 25 Prill, 2022

Mjeku obstetër gjinekolog Rezart Ajazi ishte i ftuar në ABC Live për të folur në lidhje me shtatëzanitë e fshehura pas ngjarjes së pak ditëve më parë kur një vajzë lindi në tualentin e Urgjencës së QSUT-së edhe pse kishte shkuar për shqetësime të tjera, siç ishte dhimbjet e barkut.

Mjeku tha se shtatëzanitë e fshehura njihen në literaturën mjekësore duke shpjeguar madje edhe arsyetimet që mund të gjejnë vajzat dhe gratë për ndryshimet që ndodhin me trupin e tyre gjatë kësaj periudhe.

Shkencërisht barra e fshehtë njihet si diagnozë. Rastet e barrës kritike të fshehtë mbulohen me elemente që për ne përbëjnë atë që duhet diagnoza diferenciale. Në shtatëzani nuk ka cikël menstrual për shembull. Pacientja mund të mendojë se ky çregullim i cilklit lidhet me faktorë të tjerë. Rritja e madhësisë së barkut argumentohet me patologji të tjera që mund të çojnë në këtë fenomen, siç janë fryrja e zorrëve, probleme tumorale, etj.

Çregullimet e gjumit për shembull apo lëvizjet fetale i interpretojnë si lëvizje zorrësh dhe e gjithë kjo që thashë me sipër sjell atë që quhet shtatëzani e fshehtë”, tha ai duke shtuar ndërkohë se eksperienca ka treguar edhe mjaft raste ku shtatëzanitë janë mohuar nga vajzat për shkaqe sociale apo familjare.

Kemi patur raste që kur kemi futur vajza apo gra për ekzaminim na janë përgjëruar që të mos u tregojnë familjarëve për shtatëzaninë”, tha Ajazi duke shtuar se në këtë rast mjekët kanë respektuar privatësinë e pacientit.

Ajazi tha se shtatëzanitë e fshehta apo mohimi i shtatëzanisë janë të rrezikshme pasi ato nuk trajtohen duke patur një potencial të madh që të shkaktojnë probleme.

Ne kemi protokoll të ndjekjes shtatëzanisë duke patur në fokus mireqënien e nënës dhe fëmijës. Duke mos u zbatuar protokolli përkatës mundet që këto shtatëzani të kenë pasoja, siç është rasti që patëm QSUT ku vajza shkoi dhe lindi në tualetin e Urgjencës, ndërkohë që duhej të vinte te ne.

Shmangia nga protokolli do të sjellë pasoja për këtë shtatëzani dhe askush më pas nuk garanton se si mund të shkojë ajo. Madje, edhe në rastet kur i ndjekim shtatëzanitë që nga fillimi na duhet ndonjëherë që të konsultohemi me kolegët tanë për raste të caktuara, tani imagjino ç’mund të ndodhë për një shtatëzani të pandjekur”, tha Ajazi. /abcnews.al