Në teatrin “Migjeni” në Shkodër 25 vjet nga vdekja e Zef Zorbës, u prezantua libri i tij me poezitë më të mira botërore. Në libër janë 130 poezi të gjenive të shekullit 20.
Tre hermetikët e poezisë botërore Montale, Quasimodo, Ungaretti vijnë të shqipëruara nga Zef Zorba. Hermetiku i fundit shqiptar, sot pas më shumë 25 vitesh nga vdekja e tij, vjen për lexuesin shqiptar me botimin e 130 poezive të gjenive te shekullit 20 në një libër “Montale, Quasimodo, Ungaretti – Perfectum trinum”.
Poezi të zgjedhura, shqipëruar dhe me parathënie të poetit të shquar Zef Zorba. Sa ishte gjallë, vepra e tij nuk pa dritën e botimit. Redaktorja Ana Shkreli tregon se poezitë italiane kanë ardhur në shqipen e njësuar të standardit, ashtu si shkruante jo rrallë edhe poezi të vetat, duke ndërkallur hera-herës elementë të gegnishtes e më rrallë edhe ndonjë të toskërishtes.
Ana Shkreli, redaktore: Këto poezi vijnë dhe si forma më e bukur e këtyre tre modernistëve hermetikë italianë. Sepse titulli është shumë interesant, perfectum trinum dhe hapet me shprehjen “Omnem trinum es perfectum” që do të thotë çdo trini është perfekte. Në këtë rast duhet të themi çdo kuartet është perfekt sepse Zorba në këtë rast është këmba e katërt e kësaj platforme moderniste, i cili bën bashkë dy brigjet, poezinë italiane dhe shqiptare, e cila vjen në të njëjtën formë përmes këtyre poezive.
E bija e Zef Zorbës, Elena Zorba thotë kjo është vetëm një pjesë e punës se tij. Ka ende dorëshkrime.
Elena Zorba: Iku shumë shpejt, por pastaj na la detyrën tjetër ne që të gjithë këto punime që i kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij të arrisnin të shihnin dritën e botimit. Kemi gati një antologji të poetëve italianë të 1900-s, sëbashku me një parathënie të përgatitur. Njëkohësisht është krejt vepra komplet e Thomas Elliot e përkthyer nga anglishtja. Një punë kolosale e tij që shpresojmë të botohet.
Libri i tij i parë, “Buzë të ngrira në gaz”, u botua pas vdekjes pasi kishte shkruar fshehurazi përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, cilësuar si “letërsia e sirtarit”.
Zorba çmohet si një poet i veçantë i letërsisë shqiptare dhe përfaqësues kyç i modernizmit dhe hermeticizmit. Studenti i Shkodrës dhe i Padovas për Shkencat Politike përktheu autorë si Robert Frost, dramaturgë si Xhorxh Bernard Shaw, Luigi Pirandello, Wild, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. La në dorëshkrim: T.S Eliot Robert Frost, Oscar Wild si dhe vepra të tjera të rëndësishme nga autorë si Pirandello, Wilder, O’Neil./abcnews.al