Kukësi kthen trajnerin e titullit

schedule10:30 - 7 Prill, 2019

schedule 10:30 - 7 Prill, 2019

Ernest Gjoka rikthehet në stolin e Kukësit pas më shumë se një viti e gjysmë. Trajneri tiranas fitoi titullin me kuksianët në 2017, por u shkarkua pas një humbjeje të pafat në Champions.

Kanë kaluar më pak se dy vjet nga ky çast i lumtur. Ernest Gjoka, në stolin e Kukësit, u shpall kampion i Shqipërisë vetëm tre vjet pas fitores së Kupës me Flamurtarin. Trajneri tiranas pritej të vazhdonte një cikël jo edhe aq të shkurtër, veçse gjithçka u ndërpre në mes nga një humbje e pafat në Champions.

Presidenti Gjici e shkarkoi pas ndeshjes ndoshta më të mirë të Kukësit vitet e fundit, fitores 2-1 ndaj Sherifit të Tiraspolit të Moldavisë. Nuk luajti rol fakti që u humb penallti vendimtare dhe u godit shtylla.

Që nga vera e 2018-s, kuksianët provuan disa trajnerë, si Milinkoviçin, Pakultin e Cungun, e së fundmi, Ramadan Ndreun, të shkarkuar për shkak të inaktivitetit në humbjen  ndaj Kastriotit.

Tani, erdhi sërish radha e Ernest Gjokës. Klubi njoftoi zyrtarisht se ai do të kthehet në stol dhe do të nisë punën me skuadrën, duke pasur objektiv ndjekjen e titullit për sa kohë lejon matematika, si dhe fitoren e Kupës së Shqipërisë.

Nuk dihet nëse Gjoka e pranoi me dëshirë emërimin, apo thjesht veproi ashtu sepse një trajner gjithnjë dëshiron të punojë e të jetë në treg. E sigurt është që, nëse rezultatet sërish nuk do të jenë të mira, as ai nuk do ta ketë postin të sigurt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!