Kryeministrja Theresa May u kërkoi sërish ligjvënësve që të bashkojnë forcat dhe të pranojnë marrëveshjen për Brexit. Në të kundërt, paralajmëroi May, procesi rrezikon të ikë nga duart dhe Mbretëria e Bashkuar të mos largohet nga BE.
Kryeministrja britanike Theresa May ka insistuar se duhet të arrijë një marrëveshje me laburistët, në të kundërt procesi i Brexit rrezikon t’i ikë nga duart. Në një fjalim të orëve të fundit, May ka deklaruar se opsionet e Mbretërisë së Bashkuar po kufizohen; ose të largohet nga Bashkimi Europian me një marrëveshje, ose të mos largohet fare.
Disa ligjvënës nga radhët e konservatorëve e kanë kritikuar shefen e qeverisë për ndihmën që i ka kërkuar laburistëve pasi marrëveshja e saj për Brexit u rrëzua tre herë në Parlament.
Ndërkohë, tre ditë bisedime mes palëve u ndalën ditën e premte pa një marrëveshje. Lideri i laburistëve Jeremy Corbyn tha se pret të shohë vijat e kuqe të përcaktuara nga May dhe shtoi se, në qëndrimin e saj deri tani nuk ka vënë re ndonjë ndryshim thelbësor.
Në deklaratën e saj, zonja May tha se, pasi ka bërë çdo gjë që është në fuqinë e saj për të bindur palët për marrëveshjen e negociuar me BE-në vitin e kaluar, tani i mbetet të shohë për një qasje të re.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të biem dakord në Dhomën e Përfaqësuesve. Njerëzit me të cilët flas më thonë se presin që politikanët të bashkëpunojnë kur bëhet fjalë për interesin kombëtar”, vijoi May.
Sipas saj, arritja e një mazhorance ligjvënësish që mbështesin marrëveshjen e Brexit është rruga e vetme për t’u larguar nga BE-ja.
“Më shumë zgjatet procesi, më shumë rrezikojmë të mos largohemi fare”, shtoi May./abcnews.al