Shpëtim Duro, trajneri i Laçit, para ndeshjes me Kukësin që zhvillohet nesër, ka folur dhe e di shumë mirë që kurbinasit i pret një ndeshje e vështirë. “Të gjitha ndeshjet janë të vështira në këto momente, Kukësi është te pjesa e sipërme e klasifikimit dhe ka entuziazëm pasi për herë të parë pas shumë kohësh luhet në Kukës. Edhe për ne është kënaqësi, pasi inaugurohet një stadium modern”.
“Është ndeshje e vështirë, por është pozitive të luajmë në atë ambient dhe stadium. Por, loja është diçka tjetër nga festa e stadiumit. Lufta është e hapur deri në fund për vendin e dytë, do të shikojmë javë pas jave. Pas ndeshjes me Kukësin do të shikohet rezultati, por lufta për vendin e dytë do të vazhdojë deri në fund.
Kupa është një arritje e madhe dhe kemi shkuar në finale, por duhet të përqendrohemi te kampionati. E rëndësishme është të arrijmë objektivin nga kampionati, që edhe në Kupë të jemi të qetë”, është shprehur Duro për Supersport.
“E kam thënë se Laçi do të ishte për titull kur u largova, nuk e imagjinoja të kisha diferencë me Tiranën, nuk ka diferenca për organikën. Më ka ngelur pishman se do të ishim si në sezonin e kaluar, por edhe më mirë. Por jemi mirë nëse arrijmë vendin e dytë, do të ishte e rëndësishme dhe pozitive.
Sezoni i kaluar ishte rezultat historik, hera e parë që luftonte për titull dhe skuadra më e mirë shqiptare në kompeticionet europiane. Është vlerësim nga drejtuesit rikthimi im, do të ishte shumë pozitive që bashkëpunimi të mos ndërpritej në këtë sezon. Tani jemi përqendruar te fundi i këtij sezoni”, përfundoi Duro. / abcnews.al