Sondazhi: 44% e serbëve janë kundër anëtarësimit në BE

schedule16:45 - 22 Prill, 2022

schedule 16:45 - 22 Prill, 2022

44% e qytetarëve serbë janë kundër anëtarësimit të vendit të tyre në Bashkimin Europian. Rezultatet e sondazheve më të fundit publikohen në një  moment që parlamenti europian i bën presion Beogradit që t’i vendosë sanksione Rusisë

Anëtarësimi në Bashkimin Europian duket të mos jetë më një prioritet, për të paktën një pjese të madhe të qytetarëve të Serbisë. Sipas raportimeve më të fundit të IPSOS, për herë të parë, në dy dekadat e fundit, nëse do të mbahej një referendum aktualisht, 44% e serbëve do të votonin kundër anëtarësimit, vetëm 35 % janë në favor të tij.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, theksoi se rënia domethënëse e interesit ndaj Europës reflekton më së miri tendencën e partisë progresiste serbe në qeveri. Vuçiç tha se Serbi duhet të ketë një vend në Bashkimin Europian, ndaj është e rëndësishme që të vijohet në këtë rrugë dhe të luftohet për të arritur objektivin. Por kreu i shtetit serb shtoi se vendi duhet të ruajë pavarësinë në procesin e vendimmarrjes, të paktën deri kur të bëhet anëtar i BE-së.

Rezultatet e këtij sondazhi publikohen në një moment në të cilin parlamenti Europian po bën presion ndaj Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duke kritikuar Beogradin se nuk po promovon mjaftueshëm vlerat Europiane.

Serbia e Aleksandër Vuçiç mbetet një gjemb në shpinën Europiane, në pjesën më lindore. Beogradi që ka zgjedhur të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, ka presione të vazhdueshme për faktin se është vend kandidat për në BE.

Mes vendeve që po ndjekin më nga afër evoluimin e qasjes serbe, është Gjermania nëpërmjet ministres së jashtme Annalena Baerbock. Kjo e fundit u shpreh se nëse Serbia synon anëtarësimin në BE, duhet të mbështesë politikën e jashtme të anëtarëve të tjerë të Bashkimit Europian.

Një presion gjithnjë e më i drejtpërdrejtë ndaj Beogradit, i cili sipas Brukselit duhet të zgjedhë cilën anë të mbajë. Qëndrimet e Aleksandër Vuçiç për momentin konsiderohen krejtësisht të pamjaftueshme: Serbia votoi rezolutën e OKB-së që dënon agresionin rus dhe  votoi në favor të pezullimit të Moskës nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut. Por BE, veçanërisht Berlini, kërkon një hap më shumë për ta konsideruar Beogradin një aleat të besueshëm.

/abcnews.al