Turqi, “Sulltani” humbet Stambollin

schedule11:26 - 6 Prill, 2019

schedule 11:26 - 6 Prill, 2019

Makthi më i keq i Presidentit të Turqisë Erdogan, tashmë është realitet, sulltani ka humbur dhe Stambollin. Nëse humbja e Ankarasë ishte një shuplakë politike për presidentin turk, Stambolli është një humbje e hidhur.

Stambolli, makthi i Sulltanit, aty ku Erdogan nisi në vitin 2002 ngjitjen drejt pushtetit. Nëse humbja në Ankara ishte një shuplakë politike, nga ato që lënë shenjë për presidentin turk, humbja e Stambollit përfaqëson një disfatë e cila nuk mund të maskohet dhe as keqinterpretohet. Dhe pse Erdogan një ditë pas zgjedhjeve vendore theksoi se partia e tij kishte fituar në nivel kombëtar me 51.67% të votave.

Kandidati socialdemokrat i opozitës Ekrem Imamollu shpalli fitoren në Stamboll, ndërsa në Ankara me 50.9 për qind të votave fitorja i shkoi Manus Javash përfaqësues i partisë më të madhe të opozitës.

Vetëm 24 orë pas mbylljes së qendrave të votimit, përfundoi dhe numërimi i votave, një proces që konfirmoi fitoren e Imamollu me 25 mijë vota më shumë se ish kryeministri Binali Jëlldërëm, përfaqësues i partisë së Erdogan.

Por partia e Presidentit Turk nuk e pranon humbjen duke pretenduar për shumë fletëvotimi të pavlefshme, numër i cili do të ishte i mjaftueshëm për të zeruar diferencën mes dy kandidatëve.

Këshilli i Evropës u shpreh se nuk ishte plotësisht i bindur se aktualisht në Turqi është një ambient elektoral i lirë dhe i drejtë, i cili do të ishte i domosdoshëm për zgjedhje demokratike në linjë me vlerat dhe principet evropiane.

Deklarata u bë nga Endrju Dauson i cili drejtonte misionin e monitorimit elektoral të Këshillit të Evropës për zgjedhjet administrative në Turqi. Por ai theksoi se pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë, 84%, dhe kjo është një sinjal pozitiv i përçuar nga elektorati.

Për sa i përket situatës në juglindje me mazhorancë kurde, misioni i monitorimit thekson se nuk i pranon deklaratat e qeverisë së Ankarasë sipas të cilave, çdo kryebashkiak që përfaqëson kurdët është një terrorist apo një person që ka lidhje me terrorizmin.

Rezultati në Stamboll është shumë i rëndësishëm pasi qyteti mbi Bosfor përfaqëson zemrën ekonomike të vendit. Forca politike e Erdogan ka humbur kontrollin e qytetit pas 25 vjetësh, ashtu si ndodhi dhe në kryeqytet, dhe kjo nënkupton një kthesë në politikën turke.

Në një panoramë më të përgjithshme, ashtu si ndodh që nga 3 nëntori i vitit 2002, partia e Erdogan AKP mbetet ende parti e parë në vend, ashtu si theksoi dhe vetë kreu i shtetit para se të largohej nga Stambolli për tu kthyer në pallatin presidencial në Ankara. Erdogan pohoi se partia e tij në qeveri dhe aleatët nacionalistë kishin marrë 56% të komunave në këto zgjedhje vendore.

Por fakt është se kryeqyteti turk tashmë është në duart e republikanëve pas më shumë se 25 vitesh, falë fitores së Mansur Javash; personi që i dorëzoi Ankaranë opozitës, merrte pjesë në zgjedhje për herë të tretë. Ai u mund në vitin 2009, kur garonte për nacionalistët, në atë kohë jo në aleancë me Erdogan, dhe për herë të dytë në vitin 2014, pasi kaloi në radhët e republikanëve.

Por ajo që i dha dhe më shumë pikë ishte dhe eksperienca e madhe si administrator vendor në kryeqytet, përballë rivalit të tij Mehmet Ozhaseki, i cili kandidoi vetëm se ka qenë ish ministër i Erdogan. Po pa asnjë eksperiencë në fushën administrative.

Izmiri, qyteti i tretë turk dhe një bastion tradicional lai, mbetet sërish i tillë në duart e Mustafa Tunç Sojer. Koalicioni qeverisës ka humbur të gjithë brezin mesdhetar, duke qenë se të djathtës islamike dhe nacionaliste, i ka ikur nga duart dhe Adana dhe Antalia, qendra kryesore për ekonominë dhe turizmin.

Edhe kurdët që ishin përqendruar në juglindje të vendit kanë marrë shumë qytete përfshirë dhe kryeqytetin e tyre Dijarbakër. Ndërsa për herë të parë në historinë e Turqisë një provincë në lindje, Tunxheli do të drejtohet nga një komunist, Mehmet Fatih Maçollu.

Por procesi i votimit u shoqërua nga episode të rënda dhune sidomos në juglindje të vendit, shpesh skenë e përplasjeve mes klaneve rivale në periudhë zgjedhjesh. Bilanci zyrtar flet për të paktën katër viktima dhe dhjetëra të plagosur. Por ajo që ndikoi në këtë rezultat është dhe situate e rëndë ekonomike në vend. Ekonomia turke u godit që kur monedha vendase, Lira, humbi 40 për qind të vlerës së saj në krahasim me dollarin amerikan një vit më parë.

Kriza monetare, e shpërthyer në gusht të një viti më parë pas një përplasjeje të fortë diplomatike me Uashingtonin, shkaktoi shqetësim te investitorët e huaj për sa i përket pavarësisë së bankës qendrore, por dhe për performancën e ekonomisë.

Presidenti Turk Erdogan shumë shpesh ka akuzuar fuqitë e huaja dhe spekulatorët si përgjegjës të situatës. Përgjatë gjithë fushatës elektorale presidenti turk ka përsëritur se ai ishte përgjegjës për ekonominë e vendit dhe premtonte se situata do të ndryshonte shumë shpejt. Por në çdo rast ai akuzon armiqtë e Turqisë të cilët pasi ishin përpjekur me terrorizmin dhe grushtin e shtetit, tashmë duan të destabilizojnë vendin me anë të ekonomisë.

Për sa i përket Stambollit, Erdogan e cilësoi si një çështje mbijetese, duke u përpjekur të bëjë për vete zgjedhësit nëpërmjet Shën Sofisë. Një ish bazilikë bizantine, një nga vendet simbol të qytetit mbi Bosfor, sot muze. Presidenti Turk deklaroi se tashmë ajo mund ti rikthehet kultit islamik, mund të jetë sërish një xhami dhe mund të quhet Xhamia e Shën Sofisë, duke theksuar në këtë mënyrë revanshizmin turk:

“Ata që qëndrojnë të heshtur kur xhamia e Al – Aksa në Jeruzalem, sulmohet, shkelet, dritaret e saj thyhen, nuk mund të na thonë se çfarë të bëjmë me statusin e Shën Sofisë”.

Por kjo nuk ka qenë deklarata e vetme e fortë e kreut të shtetit turk. Në 18 mars, me rastin e përkujtimit të betejës së Galipolit në vitin 1915 ku turqit mundën anglo-francezët, në radhët e të cilëve luftuan dhe u vranë me mijëra ushtarë australianë dhe nga Zelanda e Re, Presidenti Turk bëri pothuajse një deklaratë lufte duke iu referuar sulmit në dy xhamive në Zelandën e Re:

Po na sfidojnë nga 16.500 kilometra larg. Jemi këtu prej 1 mijë vjetësh dhe me vullnetin e Zotit do të qëndrojmë deri në ditën e Apokalipsit. Nuk do ta ktheni Stambollin në Kostandinopojë. Paraardhësit tuaj erdhën këtu dhe u kthyen me arkivole. Nuk duhet të keni dyshime që do të bëjmë të njëjtën gjë dhe me ju….

Zgjedhjet vendore të 31 marsit në Turqi, përfshinë më shumë se 48 milionë zgjedhës, dhe pavarësisht se partia e tij mbetet më e votuara, Presidenti Turk ka pak arsye për të qenë i kënaqur.

Por këto zgjedhje dhanë dhe një panoramë të qartë të një Turqie të përçarë, fshatrat në duart e sulltanit, por jo qytetet e mëdha.

Koalicioni Presidencial gjithsesi është fitues në fshatra. Dhe ky fakt tregon një vend të përçarë ku Erdogan merr mbështetje të fortë në zona të islamizuara. Sulltani, në përpjekje për të shmangur rreziqet deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje politike të parakohshme deri në skadimin natyral të mandatit, pra pas katër vitesh.

Do të jetë plani ekonomik ai që do të tregojë aftësitë dhe mundësitë e Presidentit Erdogan për të mbajtur në dorë drejtimin e vendit në vitet e ardhshme. Nëse kriza ekonomike dhe financiare do të vazhdojë, do të përfshijë dhe prodhimet agrare e burimet ushqimore në fshatra; duke i shkaktuar Presidentit Erdogan një rrjedhje të rëndësishme votash.

Në një intervistë për “Euronews”, Ekrem Imamollu, i cili mund të konsiderohet njeriu i momentit në Turqi, flet për atë që do të ndodhë në Stamboll në drejtimin e tij.

Marzhi i gabimit nuk do të ndryshojë rezultatin, nis menjëherë ai një nga intervistat e para që pas publikimit të rezultateve.

Sipas tij përpjekja e koalicionit qeverisës për të rinumëruar votat do të krijonte dyshime dhe do të dëmtonte demokracinë e Turqisë. Të pranosh humbjen njësoj si të festosh fitoren, është një virtyt, thekson ai dhe pse AKP nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Dhe kjo është pikërisht ajo që e trishton për Turqinë dhe Stambollin.

Socialdemokrati 49 vjeçar shprehet se AKP dhe Erdogan duhet ta kishin të qartë se dhe pse drejtonin Stambollin prej 25 vitesh, kjo gjë nuk mund të zgjaste përgjithmonë.

Ndonjëherë dikush që ka më shumë sukses mund të vijë dhe të marrë në dorëzim drejtimin e qytetit, kjo është natyrale. Objektivi ynë është qeverisja e Stambollit në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe do të jetë koha ajo që do të na tregojë nëse ia kemi arritur apo jo”, përfundon ai.

“Mart’in sonu bahar olldu” – “në fund të marsit erdhi pranvera”, është kjo fraza që përsërisin partitë e opozitës në Turqi, të vendosura për të marrë qytetet e mëdha, dhe në fund ia dolën.

Në 31 mars partia laike, trashëgimtare e Ataturk, mori Ankaranë, konfirmoi Izmirin, me disa mijëra vota mori dhe Stambollin, duke mundur një nga njerëzit më besnik të Erdogan, ish-kryeministër dhe ish-kryetar parlamenti Binali Jëlldërëm. Laikët fituan dhe në Adana, Hataj, Antalia dhe Mersin.

Një humbje totale? Jo! AKP është ende mbi 50 % në nivel kombëtar, dhe pse në rënie, por nuk humbiste në zgjedhje vendore që nga viti 2003, kur Erdogan u bë kryeministër. Për shumë vëzhgues ndërkombëtarë, sot Turqia duket një demokraci më pak liberale por opozita nuk mund të festojë e qetë.

Analistë dhe studiues të politikave në Ballkan nuk nxitohet që ta cilësojnë si fillimin e rënies së Erdogan por një risi politike edhe pse bëhet fjalë për një seri zgjedhjesh vendore. Dhe deri në vitin 2023 nuk do të ketë më zgjedhje.

Gjithsesi nuk mund të mohohet se 31 marsi ishte një sinjal i rëndësishëm i ndryshimit të vendit por nuk mund të konsiderohet si një rizgjim i ndërgjegjes politike kundër Erdogan. Gjithë kjo pakënaqësi është rezultat i situatës ekonomike që po përjeton vendi. Ekonomia ka qenë suksesi i Erdogan për 16 vjet, dhe vota është e vetmja mënyrë që kishin në dorë qytetarët për ti treguar qeverisë se kështu nuk mund të vazhdohej më.

Por nuk është as një rastësi që qeveria ka humbur në Ankara dhe Stamboll. Që në vitin 2017 këto dy qytete kishin shprehur një votë të kundërt në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Maxhoranca në të dyja qytetet kishte votuar kundër propozimit për reformën kushtetuese që do i jepte më shumë pushtet Presidenti Turk Erdogan. Për më shumë opozita e përqendroi fushatën elektorale pikërisht në situatën ekonomike.

Por Ankara dhe Stambolli dhe pse dy fitore të rëndësishme nuk përfaqësojnë të gjithë Turqinë.

Brenda vendit, sidomos në provincat qendrore, u bë e qartë se të gjithë janë në mbështetje të Erdogan. Sepse kjo zonë është Turqia më tradicionale, e lidhur me vlera fetare dhe jo vetëm. Pikërisht këtu më shumë se dhjetë vjet më parë u zhvilluan sipërmarrjet e mesme dhe të vogla turke, mbi të cilat mbështetet modeli i ekonomisë së orientuar drejt eksportit, ashtu si kërkon dhe qeveria. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se pushteti i Presidentit Turk Erdogan, është ende shumë i fortë./abcnews.al