Oligarku rus gjendet i varur në oborr, dyshohet se vrau me sëpatë gruan dhe vajzën teksa flinin

schedule19:35 - 21 Prill, 2022

schedule 19:35 - 21 Prill, 2022

Zyrtarët spanjollë po hetojnë vdekjen misterioze të një oligarku rus i cili u gjet i varur jashtë vilës së tij në Spanjë, ndërsa gruaja dhe vajza e tij u gjetën të vdekura brenda pronës.

Hetuesit dyshojnë se Sergey Protosenya, 55 vjeç, vrau gruan dhe vajzën me sëpate dhe thikë, përpara se t’i jepte fund jetës në oborrin e vilës së tij në Lloret de Mar në Costa Brava të Spanjës.

Megjithatë, raportet lokale thonë se nga provat e mbledhura nuk është arritur në këtë përfundim. Nuk u gjet asnjë shënim vetëvrasjeje në pronë dhe duket sikur ishin marrë hapa për tu siguruar që mos mbeteshin gjurmë gishtash në armët e vrasjes.

Hetimi mbetet i hapur, thanë zyrtarët.

Tre trupat u gjetën të martën, një ditë pasi një tjetër multimilioner rus u gjet i vdekur me gruan dhe vajzën e tij në Moskë.

Në të dyja rastet, burrat kishin lidhje me kompanitë ruse të gazit, shumë prej të cilave janë përballur me sanksione perëndimore qëkur Vladimir Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë.

Protosenya, i cili kishte një pasuri prej mbi 330 milionë paund, ishte Zëvendës Kryetar në Bordin e Drejtorëve për kompaninë e gazit natyror Novatek për shtatë vjet.

Forcat e policisë katalanase i thanë Daily Telegraph se hetuesit po punojnë me hipotezën se Protosenya vrau gruan dhe vajzën e tij me një sëpatë dhe një thikë brenda shtëpisë së pushimit, ndërsa ato ishin duke fjetur në shtretërit e tyre.

Më pas ai u vetëvar në kangjellat jashtë vilës, raportoi gazeta.

Policia po pret rezultatet e autopsisë dhe po kontrollon kamerat e sigurisë në vilë për të përcaktuar nëse dikush nga jashtë familjes hyri në pronë gjatë kohës së vrasjes./abcnews.al/