Gjykata e Lezhës la në arrest shtëpie gruan shtatzënë, e cila u kap me mina në qytetin e Lezhës. Për vëllain e saj gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Vëlla dhe motër, Armand Lukani dhe Amelda Elezi, të cilët u kapën të martën me tre mina me telekomandë në Lezhë shpërthyen në lot kur po hynin në gjykatë. Shtatzëna nuk ngjiste dot shkallët kur u përball me prindin.
Jashtë, babai i tyre Elmi Lukani priste me ankth vendimin. Sapo pa fëmijët duke qarë nuk u pëermbajt as ai.
Gazetari: Mendoni që i ka përdorur kush?
Elmi Lukani, Babai i të Arresturave: Se di, po patjetër ku i gjeti cuni ato.
Gazetari: Keni marrë avokat?
Elmi Lukani, Babai i të Arresturave: Jo nuk kam mundësi, gjendje ekonomike e dobët.
Gazetari: Mendoni se djali është i pafajshëm?
Elmi Lukani, Babai i të Arresturave: Patjetër që është i pafajshëm
Gjykata vendosi “arrest shtëpie” për Amelda Elezin. Kurse vëllai i saj Armand Lukani do të vazhdojë të qëndrojë në qeli pasi gjykata caktoi masën e sigurise “arrest në burg”.
Motër e vëlla u arrestuan kishin mbërritur në qendër të qytetit të Lezhës. Brenda në një çantë kishin 3 mina të telekomanduara dhe rreth 2 kg kanabis. Në kërkim u shpall bashkëshorti i Ameldës.
Ky ishte rasti i pestë që prej dy vitesh në Lezhë kapen transportues të minave të telekomanduara, por në asnjë rast nuk dihet prodhuesi dhe porositësit e tyre. /abcnews.al