Në rrugën nacionale Lushnje-Berat ka ndodhur një aksident. Një motoçikletë u përplas me një makinë policie e si pasojë humbi jetën drejtuesi i motoçikletës, 45-vjeçari Ilir Lulja. E veja e tij dhe i afërmi i tyre, Ilmi Kapedani, tregojnë ngjarjen që erdhi ngaqë makina e policisë hyri kundravajtje.
Gazetari: Sot jemi në Rrethin e Lushnjes, në rrugën nacionale që të çon drejt qytetit të Beratit, ku do të trajtojmë rastin e një aksidenti ku viktima, i cili ka mbetur i vdekur si pasojë e një përplasjeje mes fugonit të policisë dhe motoçikletës së tij, ka dalë fajtor nga organet e drejtësisë.
Valbona Lulja: Aksidentin në fillim ma ka pohuar vajza, kur ka ardhur në shtëpi. Më tha, mami babin e kam marrë para 5 minutash dhe nuk më është përgjigjur. Edhe mua, i thashë, nuk më është përgjigjur në celular. Provuam i ramë prapë.
Dëshmitari 1 – Ishte një çun polic, që unë e njoh, po drejtonte trafikun ai, çun i ri ai, e i thashë:-Ej, po mirë e ça bëni ju? – “Po mirë ore, ça të bëjmë ne”?-tha. “Ça të bëjmë”? Edhe po binte telefoni, ishte telefoni 1 metër larg meje, i thashë t’i përgjigjem në telefon ndonjë familjari, t’i lajmërojmë të paktën, se kështu është në të gjithë botën, që lajmërohet familjari.
Valbona Lulja: I ramë telefonit, na e ngriti një person, që i tha vajzës: “Jam shoku i babait tënd dhe babai ka bërë aksident, ndodhet në spital”. Mora një makinë, kam ikur bashkë me vajzën. Vetëm i vëllai i bashkëshortit më tha se është në gjendje të rëndë, tani u nis për në Tiranë. Atje ndërroi jetë, po atë ditë.
Ilmi Kapedani: I ndjeri vinte nga Kosova e Madhe e Lushnjes për në Lushnje.
Gazetari: Si ka ndodhur aksidenti? Zoti Lulja ishte i pozicionuar në motoçikletën e tij këtu, ndërsa fugoni i Policisë që transportonte të burgosurit drejt Vlorës nuk respekton tabelat e qarkullimit rrugor, të cilat tregojnë qartë që duhet të kthehesh djathtas dhe jo të vazhdosh drejtë.
Ilmi Kapedani: Shoferi i makinës së policisë nuk e ka marrë parasysh këtë tabelë dhe i ka rënë drejtpërdrejt duke marrë motorin para. I bie që shoferi i policisë ka qenë kundravajtje.
Ne do të analizojmë hap pas hapi të gjitha shkeljet e transportit rrugor që ka bërë fugoni i policisë, duke nisur që nga tabela që tregon që automjetet që vijnë nga rruga e vjetër e Lushnjës duhet të kthehen djathtas.
Çështja pas të gjitha procedurave, nga policia erdhi në Prokurorinë e Lushnjes, ku në bazë të shortit iu caktua prokurores së rrethit gjyqësor Lushnje, Natasha Prifti, e cila nisi procedurën në lidhje me shkaqet e këtij aksidenti, por ka lënë në mangësi hetimin dhe zbardhjen e këtij aksidenti. Pas disa kohësh, kjo prokurore doli me pushimin e çështjes, pikërisht në datën 16 Mars 2017, por në bazë të të dhënave që ka emisioni “Stop” nuk janë administruar 2 dëshmitë kryesore, të cilat zbardhin shkaqet kryesore të aksidentit.
Emisioni “Stop” administron dy dëshmi kryesore, të cilat mund të zbardhin aksidentin që i mori jetën 45-vjeçarit. Dëshmia e parë, vjen nga një i burgosur, i cili ka qenë prezent në fugonin e policisë.
Deklaratë: Unë i quajturi, Aranit Agim Arapi, i dënuar në burgun e Kosovës, për ngjarjen e datës 9 Tetor të 2016-ës, ku humbi jetën një shtetas në vendin e quajtur Kthesa e Kashbardhës, deklaroj se po në këtë datë rreth orës 13:00 shoferi që unë udhëtoja ishte fajtor për aksidentin e ndodhur, pasi personi që ngiste motorin ishte në krahun e tij të drejtimit, ndërsa shoferi i makinës që unë udhëtoja, në vend që të kthehej tek rotondo për t’u futur në rrugë të drejtë, futet në drejtimin e kundërt.
Dëshmia tjetër vjen nga një qytetar, i cili ka biznesin tek cepi i rrugës nacionale dhe ka parë të gjithë aksidentin.
Dëshmitari 2 – Unë qeshë i pari pas policit. Polici sa nuk qante. Erdhi, kam atë zetorin aty brenda, të zotit të zetorit i thashë, ik e merr ca rroba të pastra, se ja vura tek koka, se po e mbanim një çik keq, kështu i pastrova gjakrat, i pastrova gojën, hundën… Tjetër s’kisha çfarë t’ju thosha unë, e mora, erdhi ambulanca, e hipa lart, hipa dhe vetë në ambulancë . E çuam në spital. Atje u zura dhe me doktoreshën atje, se me tha:- ëëë… ky, që është përplasur me policinë! –Jo,- i thashë,- unë e parë e punës, kemi gjysmë ore që po ju presim,- thashë- dhe ky s’është përplasur me policinë, e ka përplas policia këtë. Ndaluan, biles ai ishte çun i ri, sa nuk qante, biles, kur i thashë unë – ti e ke ndalim-qarkuullimi, ja thashë në italisht unë atij, se kam qenë shumë vite në Itali ……o tha tani e pashë dhe i binte xhadesë me dorë ai, i binte me pëllëmbë, aq i dëshpëruar ishte, se e kuptoi gabimin. Unë që aty e pashë gjendjen, që ishte shumë e rëndë dhe s’kisha më, çfarë të bëja më shumë.
Drejtuesi i Emisionit “Stop” Saimir Kodra bën thirrje për rihapje të çështjes. “Shoferi nuk ka dashur, askush nuk do. Por, kur ke hyrë në kudravajtje, je ti fajtori i asaj gjësë. Ndaç nga alkooli, përgjegjësia, nuk e ke pasur vëmendjen, e ke marrë patentën me mik…është e gjitha përgjegjësia yte për sa kohë ke mbi shpatulla jetën e një njeriu. Pra, duke anashkaluar të gjithë këtë veprim, shmangu detyrimin që ka ky institucion, Policia e Shtetit t’i japë një dëmshpërblim familjes. Po ashtu, siguracioni që mbulon makinat e policisë, nëse kanë, t’i paguajë një detyrim kësaj familjeje për familjarin që humbën. Kam përshtypjen që kjo çështje duhet të rihapet edhe një herë. Nuk dua kurrsesi që drejtuesi i automjetit, apo dikush tjetër të burgoset, nuk është ky qëllimi. Zonja Prifti rishikojeni edhe një herë me këto dëshmitë, sepse kam përshtypjen se do të dalë ndryshe nga mbyllja e hetimit.”/tvklan.al