Partia Socialiste nisi një ditë më parë procesin për zgjedhjen e presidentit të ri. Në mbledhjen e grupit parlamentar, deputetët e PS hodhën në kuti zarfin me tre emra të propozuar.
Sakaq, sot do të ketë një takim mes kryetarëve të grupeve parlamentare. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka bërë me dije më herët se do të takohen në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me Enkelejd Alibeajn, Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun.
“Do të jetë një takim paraprak me qëllim që të identifikojmë për parimet kryesore për emrin e Presidentit”, deklaroi Balla.
Sipas tij seanca e konsultimeve pritet të mbyllet para datës 29 prill dhe në fillim të majit të bëhen seanca e para për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, një ditë më parë Enkelejd Alibeaj u shpreh se grupi i PD do të mblidhet për të vendosur nëse do të marrë pjesë dhe si do veprohet për procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Nga ana tjetër, Fatmir Mediu në cilësinë e kryetarit të grupit “Alanca për ndryshim” kërkoi transparencë dhe konsensus mes palëve. Madje ai propozoi që në tryezën e negociatave opozita të paraqitet si një trupë e vetme.
Ndërkohë, me deputetët e Komisionit të Rithemelimit dhe ata të LSI nuk do të ketë konsultime sa kohë që nuk kanë grupe parlamentare në Kuvend.
Socialistët kanë propozuar që seanca e parë, nga 5 seanca që parashikon Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit, të zhvillohet në datën 4 maj. g.v/abcnews.al