Nga Leontina Nika
Muzika është jetë për baritonin Ylber Gjini.
“Në momentin që nuk do këndoj , nuk dua të rroj”.
Dhoma e provave është vendi i tij i preferuar, ku ushtrohet të paktën 4 orë në ditë.
Më mirë vonë se kurrë kështu e cilëson marrjen e titullit “Mjeshtër i Madh”, por e gëzon fakti se mori rrugën institucionale.
“Nuk pata emocione fare, sepse e pash shumë të merituar dhe të vonuar”.
Për 3 dekada ai ka skalitur mbi 30 karaktere personazhesh në skenën e Operas, por shpërblimi monetar ka qenë qesharak. Dyfishimi i rrogave për solistët premtuar nga kryeministri Rama pas mbrëmjes gala të rikonstruksionit, ende nuk ka ndodhur, thekson Gjini edhe pse duhet të hynte në fuqi që në janar të këtij viti.
“Jo nuk kemi marr pagesën shtesë, por unë dëshiroj të pranoj premtimin e kryeministrit, i cili thotë se çfarë them e bëj. Zyrtarisht nuk ka një shpjegim për këtë vonesë, pasi në janar duhet të hynte në fuqi.”
Rolet e tij të preferuar janë Zhermoni, Scarpia që nuk e shlyen lehtë nga kujtesa e baritonit, pasi para 5 vitesh pësoi paralizë faciale në skenë duke jetësuar këtë personazh.
“Çdo koncert është një emocion dhe histori më vete. Por padyshim që Skarpia mbetet shumë i veçantë, pasi pësova paralizë në skenë. Kur më vrau Toska unë nuk po ngrihesha më, humba ndjenjat. Mjekët jashtë më thanë se nuk duhet të interpretosh role të mëdha , por unë fillova menjëherë me Operan “Rigoletto”.
Ylber Gjini është nga ata artistë që ka derdhur djersë dhe mund për të arritur që të shkruaj historinë e tij si bariton i mirënjohur i skenës.
“Kam qenë një artist që të mirat nuk më kanë ardhur vetë. Kam derdhur shumë djersë për të arritur gjithçka në skenë. Kam qenë në luftë me veten gjithnjë për të arritur objektivat që i kam vënë vetes më skenë”.
/abcnews.al