KAMËZ – Është arrestuar Algert Kurtin 20-vjeç, si autori që grabiti nën kërcënimin e një arme, një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare në qytetin e Kamzës. Po ashtu në kërkim është shpallur Elis Suçi i cili akuzohet si bashkëpunëtori i të arrestuarit. Këta ditën e djeshme rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar. Pas arrestimit janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra ka siguruar dëshminë e të arrestuarit i cili ka mohuar se ka grabitur bankën. Të gjithë fajin, i arrestuari Algert Kurtin 20-vjeç, ia ka hedhur Elis Suçit i cili ndodhet në arrati.
Lexo edhe: Grabiti postën, arrestohet autori në Kamëz, në kërkim “miku” i tij
Sipas dëshmisë së dhënë, 20-vjeçari pretendon se po qëndronte para gjimnazit të Kamzës dhe se Elisin e ka gjetur pranë postës duke vëzhguar lëvizjet e punonjësve. Kur kishte shkuar ta takonte, Elisi sipas tij i kishte thënë që do të grabisnin postën, por ai ka mohuar të ketë marrë para.
“Po qëndroja para gjimnazit të Kamzës. Elisin e gjeta aty tek posta dhe kishte vëzhguar lëvizjet e punonjësve të postës. Kur shkova ta takoj me tha që do grabisim postën. Unë nuk kam marrë lekë, dhe ku Elisi ka hyrë brenda për të kryer grabitjen unë po prisja jashtë. Kemi qenë në këmbë jo në makinë. Në momentin që Elisi ka dalë jashtë, kalova në krahun tjetër të rrugës nga ana e gjimnazit. Më vonë kam shkuar në Institut për të lënë një porosi tek një miku im. Nuk kam takuar më me Elisin dhe nuk kam folur me të. Thjesht kam pasur dijeni për këtë ngjarje” mësohet të jetë shprehur i riu para hetuesve.
Lexo edhe: Shkuan ta arrestojnë, hajduti qëllon me armë policët në Tiranë dhe arratiset
Sakaq, Elis Suçi ndodhet ende në kërkim si bashkëpunëtor i grabitjes së filialit të postës në Kamëz. Ai është një emër i njohur për policinë e shtetit. 30-vjeçari në skedarët e policisë është i përfshirë edhe në një grabitje tjetër të ndodhur në Tiranë. Ndërkohë në mars të këtij viti Suçi raportohet se qëlloi me armë ndaj policisë së Kamzës pas një aksioni për kapjen e tij. /abcnews.al/