Në një fjalim të mbajtur në Kongresin amerikan me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg ka bërë thirrje për unitet mes Amerikës dhe Europës për t’i bërë ballë kërcënimit në rritje që vjen nga Rusia.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lajmëroi të mërkurën Kongresin amerikan për kërcënimin që i vjen Perëndimit nga Rusia, e cila sipas tij po bëhet gjithnjë e më e sertë. Stoltenberg deklaroi se Rusia përveçse po ngre një infrastrukturë masive ushtarake, po intensifikon sulmet kibernetike, ato me agjent nervor dhe madje po kërcënon sovranitetin e vendeve të ndryshme.
“Duhet të tejkalojmë menjëherë dallimet që kemi me njëri-tjetrin sepse në të ardhmen do të kemi nevojë më shumë se kurrë për aleancën tonë. Po përballemi me sfida të papreçedenta, të cilave asnjë vend nuk mund t’u bëjë ballë i vetëm”, deklaroi Stoltenberg.
Duke theksuar se nuk ka kohë për të humbur, numri një i Aleancës i bëri gjithashtu thirrje Rusisë që t’i rikthehet traktatit të Luftës së Ftohtë për armët bërthamore me rreze të mesme veprimi, nga i cili presidenti amerikan Donald Trump ka në plan të tërhiqet në fillim të verës.
“NATO nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë, por ajo do të marrë hapat e duhur për të ofruar një rezistencë të besueshme dhe efikase”, tha Stoltenberg.
Në kuadër të 70-vjetorit të NATO-s, sekretari i përgjithshëm tha se ky partneritet përbën aleancën më të suksesshme në histori. Ligjvënësit amerikanë, të cilët e përshëndetën Stoltenberg me brohoritje dhe ovacione, deklaruan se e shohin fjalimin e tij si një shans për të riafirmuar angazhimin amerikan pranë NATO-s, i vënë disa herë në dyshim nga presidenti Donald Trump./abcnews.al