Lobimi i PD-së, Zguri: Kemi vendosur masa administrative

schedule11:00 - 3 Prill, 2019

schedule 11:00 - 3 Prill, 2019

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ishte i pari që foli nga foltorja e Kuvendit këtë të mërkurë në lidhje me shqyrtimin e raportit vjetor të KQZ-së. Për sa i përket çështjes së lobimit të Partisë Demokratike, Zguri tha se  janë vendosur sanksione administrative ndaj saj.

“Lidhur me çështjen e lobimit të subjektit Partia Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve referuar Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike, mbikëqyr financimin e partive politike, nëpërmjet auditimit ligjor dhe monitorimit të fushatës brenda territorit të vendit. KQZ, brenda kuadrit ligjor, verifikoi raportet financiare të partive politike, raportet e monitorimit dhe raportet e auditimit, dhe nxori shkeljet e bëra nga partitë politike, duke përfshirë dhe Partinë Demokratike gjatë fushatës dhe për këtë vendosi sanksione administrative.

Sa i përket informacionit publik, të bërë në media, në lidhje me shpenzime për konsulencë, të Partisë Demokratike me kompani të huaja, Administrata e KQZ me mbështetjen time si Kryetar, propozoi verifikim të thelluar, për të siguruar një proces të rregullt ligjor, gjithmonë brenda mundësive ligjore të KQZ-së, si një organ administrativ. Por paqartësia ligjore për fillimin kryesisht të një shqyrtimi të thelluar nga ana e KQZ-së, hasi në kundërshtime brenda anëtarëve të Komisionit dhe ky propozim nuk u pranua nga shumica e Anëtarëve të KQZ-së, gjë që ia hoqi mundësinë KQZ-së të futej në proces hetimi administrativ”, tha Zguri./abcnews.al