Osmani në CNN: Vuçiçi di si të bëjë propagandë, krijoi përvojë si ministër i Millosheviçit

schedule21:00 - 14 Prill, 2022

schedule 21:00 - 14 Prill, 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është paraqitur sot për një intervistë në CNN, me gazetaren e njohur Christiane Amanpour, ku ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe Ballkan, pas agresionit rus në Ukrainë dhe pozicionin e Serbisë përballë kësaj ngjarjeje. Presidentja ka thënë se Kosova do të qëndrojë si vend i pavarur, sovran dhe demokratik, përkundër se Serbia e sheh si shtet të përkohshëm.

Osmani, ka thënë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç është shumë i zoti për të bërë propagandën që mbështetet nga Rusia, pasi që kishte një përvojë si Ministër i Propagandës në qeverinë e Millosheviçit, raporton Gazeta Express.

“Më lejoni t’ia kujtoj secilit që Presidenti aktual i Serbisë ka shërbyer si Ministër i Propagandës për regjimin e Millosheviçit, kështu që ai është shumë i zoti për të bërë atë lloj propagande që mbështetet nga Rusia. Në këto 10 vitet e fundit, ai ia ka dalë ta rris bashkëpunimin ushtarak, politik dhe ekonomik me Rusinë, në nivele që nuk kanë ekzistuar asnjëherë më parë”, ka thënë Osmani.

Osmani, ka folur gjithashtu edhe për bashkimin e Serbisë me shtetet perëndimorë për ta dënuar e sanksionuar Rusinë në OKB përmes rezolutave të miratuara. Ajo ka thënë se përtej votimit të këtyre rezolutave, Serbia nuk ndërmerr asnjë veprim konkret kundër Rusisë apo Bjellorusisë.

Po ashtu, ka përmendur edhe tubimet në Beograd pro-Putinit.

“Ai mund të votojë për këto rezoluta, por kur është çështja që të bëhen veprime kundër Rusisë, Bjellorusisë, kundër ekonomisë së tyre apo çfarëdo qoftë, kurrë nuk ndërmerr veprime. Në fakt Beogradi është kryeqyteti i vetëm në botë, ku janë organizuar tubime pro-Putinit, me mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe opozitës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ajo ka vënë në pah edhe bashkëpunimin në rritje mes Serbisë dhe Rusisë, duke bërë krahasime të bashkëpunimit ushtarak.

“Një shembull nga viti 2012, numri i stërvitjeve ushtarake të përbashkëta mes Rusisë dhe Serbisë, ishte dy për një vit. Tani është më shumë se 100 në vit. Tani shohim marrëveshje për furnizim me armë mes Serbisë dhe Risisë, Serbisë dhe Kinës dhe qartazi kjo gjë po na shqetëson të gjithëve në rajon, sepse sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë përbëjnë kërcënim për destabilizim ndaj të tjerëve në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ajo.

Osmani ka thënë Kosova është e gatshme të mbrojë shtetin e arritur me çdo çmim. Po ashtu, Presidentja ka thënë se pamjet e luftës në Ukrainë, kujtojnë atë që tashmë ka kaluar populli i Kosovës.

“Serbia vazhdon të na shoh si shtete të përkohshme. Është e qartë se kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse ne jemi këtu për të qëndruar si shtet i pavarur, sovran, vibrant dhe demokratik. Do ta mbrojmë atë që e kemi arritur dhe jemi gati që paguajmë çdo çmim që ta mbrojmë demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe demokratike që e kemi sot. Shumë gjak është derdhur në rajonin tonë, kemi humbur shumë njerëz të pafajshëm. Sot po përkujtojmë 14 prillin, që është dita e dedikuar për 20,000 viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Për këtë arsye, ajo që po ndodh në Ukrainë tani, me fëmijë e njerëz të pafajshëm që vriten, gra që vriten e përdhunohen si mjet lufte, është një kujtim i asaj që ne jemi detyruar ta përjetojmë”, ka thënë Presidentja Osmani gjatë bisedës me gazetaren Amanpour. /GazetaExpress/